Lansohet fushata për mos votim të kandidateve të korruptuar

Koalicioni i organizatave joqeveritare për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” (DnV), është duke bërë të gjitha përgatitjet për vëzhgimin e Zgjedhjeve të Parakohshme Parlamentare të 11 qershorit 2017 si dhe ka lansuar fushatën vetëdijësuese #AsUne.

Lajme

18/05/2017 11:59

Kjo u bë e ditur sot, gjatë një konference për media nga drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu si dhe Mjellma Hapçiu-Alijaj nga Demokracia për Zhvillim (D4D).

Kryeziu theksoi se që nga dita e shpalljes së zgjedhjeve, DnV është angazhuar në fushata edukimi për të rinj, gra dhe komunitete jo shumicë, vëzhgim të punës së KQZ-së përfshirë Komisionet Komunale Zgjedhore  dhe do të vazhdojë në ditët në vijim me vëzhgim të fushatës zgjedhore, vëzhgim të raportimeve të medieve, vëzhgim të procesit zgjedhor në ditën e zgjedhjeve, numërim të votave, evidentim të parregullsive dhe paraqitje të ankesave tek PZAP.

Po ashtu bëri të ditur se do të vëzhgohet procesi në Qendrën e Numërimit dhe rezultateve e deri në certifikimin e rezultateve.

“Për këtë proces DnV, do të rekrutoj 60 vëzhgues afatgjatë të zgjedhjeve, kurse më 11 qershor do të angazhohen 2 mijë  e 700 vëzhgues në mbarë Kosovën që do të vëzhgojnë procesin e hapjes së vendvotimeve, procedurat e votimit, mbylljes së vendvotimeve, procedurat e numërimit dhe dhënien e rezultateve. Po ashtu do të kemi Qendrën e Thirrjeve me rreth 150 vullnetarë nga ku do të përpunohen të dhënat e mbledhura nga tereni dhe nga ku do të mbahet i gjithë komunikimi jonë me publikun dhe mediat. Ne si DnV mbesim të përkushtuar që të kontribuojmë në rritjen e transparencës dhe integritetit të procesit zgjedhor”, ka shtuar ai, thuhet në komunikatën e ‘Demokracia në Veprim’.

Sa i përket fushatës vetëdijësuese “#AsUne nuk do të votojë për kandidatë të korruptuar” Mjellma Hapçiu-Alijaj nga D4D, bëri të ditur se nëpërmjet kësaj motoje, thurja #AsUne, synohet që të ndikohet tek partitë politike që të mos përfshijnë në listat zgjedhore kandidatë të përfshirë në dukuri korruptive, ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza për korrupsion, apo që vetëm ka dënime nga shkalla e parë e gjykatës.

“Personat që janë të akuzuar për korrupsion nuk e kanë vendin në listat zgjedhore dhe nuk mund t’i përfaqësojnë qytetarët në Kuvend, të marrin vendime për ta.

Njëkohësisht duam t’i sensibilizojmë qytetarët e Kosovës që mos t’i votojnë ata të cilët akuzohen për vepra korruptive, nëse të njëjtit përfshihen në listat e kandidatëve të partive politike”, ka shtuar ajo./Lajmi.net/