LAN-i është pajtuar për marrëveshje të re, LDK propozon Mustafën për kryeministër

Marrëveshja mes partive të Bllokut duhet të ridizajnohet, ndërsa Isa Mustafa do ta marrë drejtimin e Qeverisë së re të Kosovës. 

Lajme

05/11/2014 08:29

Sipas burimeve të gazetës “Zëri”, kështu është vendosur të martën gjatë mbledhjes së Kryesisë së LDK-së,  pasi që, sipas tyre, kjo është alternativa e vetme për zgjidhjen e ngërçit politik dhe krijimit të institucioneve të reja në vend.

Burimet e gazetës brenda kryesisë së LDK-së po ashtu bëjnë të ditur se edhe partnerët e koalicionit paszgjedhor LAN janë pajuar se duhet të lëvizet në drejtim të rikonfigurimit të marrëveshjes, për të mos lejuar që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme

“Ramush Haradinaj i AAK-së dhe Fatmir Limaj i Nismës janë pajtuar për ridizajnim të marrëveshjes, sikurse Kryesia e LDK-së. Kjo e fundit i ka dhënë mbështetje liderit të tyre Isan Mustafa për rikonfigurim të marrëveshjes, pa pasur nevojë që të thirret Këshilli i Paritsë”, ka thënë ky burim.

Sipas këtij burimi, Mustafa para se të mblidhte kryesinë e partisë së tij “ka pasur biseda me partnerët e koalicionit paszgjedhor LAN dhe të gjithë janë të mendimit se marrëveshja duhet të ridizajnohet, pasi që deputetët pas gjashtë muajve rrezikojnë humbjen e mandatit të tyre”.