Lamtumirë Zanetti

Kapiteni i Interit, Javier Zanetti ka konfirmuar se do të pensionohet pas përfundimit të këtij sezoni. Ikona e Nerazzurrëve, thotë se është momenti i duhur për t’i dhënë fund karrierës së tij si futbollist.

Sport

06/05/2014 13:43

Pas gati 20 vjetësh në Inter, Javier Zanetti ka vendosur të thotë mjaft. Legjenda e Nerazzurrëve ka konfirmuar se do të pensionohet në fund të këtij sezoni.

 “Mendoj se ka ardhur koha”, deklaroi kapiteni i Interit, gjatë një interviste për të përditshmen argjentinase La Nacion.

“Futbolli më ka dhënë shumë. Ndihem krenar me atë që kam bërë dhe dëshmuar se mund të kthehem në fushë edhe pas lëndimit të rëndë në edicionin e kaluar”, u shpreh ai.

Zanetti pritet të mbetet në Inter, në rolin e zyrtarit, por që ende nuk është definuar mes tij dhe presidentit të ri, Erick Thohir.

Mirëpo, biznesmeni nga Indonezia ka konfirmuar se dëshiron që Zanetti të jetë pjesë e stafit të tij, duke marrë në konsideratë trashëgiminë që ka lënë në gjigantin milanez.