Lamtumira me këngë dhe duartrokitje

Miq, kolegë dhe personalitetet më të larta të politikës, si dhe shumë qytetarë,  i kanë dhënë lamtumirën e fundit mbretëreshës së muzikës shqiptare Vaçe Zela, e cila ndërroi jetë në Basel të Zvicrës në moshën 75 vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Në ambientet e jashtme të TKOB ishte instaluar fonia ku gjatë gjithë kohës kumbonin…

ShowBiz

08/02/2014 12:06

Miq, kolegë dhe personalitetet më të larta të politikës, si dhe shumë qytetarë,  i kanë dhënë lamtumirën e fundit mbretëreshës së muzikës shqiptare Vaçe Zela, e cila ndërroi jetë në Basel të Zvicrës në moshën 75 vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.

Në ambientet e jashtme të TKOB ishte instaluar fonia ku gjatë gjithë kohës kumbonin kënget e Vaçe Zeles, e cila me zërin e saj u kthye në një ikonë të padiskutueshme për shumë breza.

Në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit u zhvillua një ceremoni homazh ku personalitete të artit dhe kulturës rrëfyen kujtimet e tyre për Vaçe Zelën.

“Unë të kam parë, të kam ndjekur, të kam kënduar me vete por s’e pata kurrë fatin të të afrohem, sepse kam qenë dhe jam shumë e vogël përpara teje. Sot je këtu afër dhe unë ndiej mall siç edhe ti vetë ke thënë: se mall kemi sa deti valë”, ka thënë Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Kryeministri Edi Rama, ndërkaq, ka thënë se është shuar diçka brenda kujtdo që e ka njohur Vaçe Zelën.

“Kur këndonte Vaçe Zela, ekrani bardhezi merrte shkëlqim vezullues. Vaçe Zela la të kyçur zërin e saj në rrethin e kujtesës bardhezi. Është shuar brenda nesh një yll magjepsës.”

“Faleminderit Vaçe Zela që ekzistove për secilin prej nesh, atëherë kur eksistenca jonë ishte e ngrirë dhe zëri yt na tregonte fshehur mrekullinë e të jetuarit të kësaj bote”.

Vaçe Zela do te prehet ne Varrezat e Sharres, në tokën e atdheut te saj, ashtu siç kishte dëshiruar gjithmonë.

 

(Shqip)