Lamtumira e Zanettit

Javier Zanetti do të zhvillojë sonte ndeshjen e tij të fundit në Giuseppe Meazza, si futbollist i Interit. Ikona e Nerazzurrëve, që do të pensionohet në fund të sezonit, pritet të përshëndetet nga 70 mijë tifozë.

Sport

10/05/2014 11:15

Të gjithë në Giuseppe Meazza për të përshëndetur Javier Zanettin.

Në një stadium që po shkon drejt ‘sold out’, kapiteni argjentinas do të zhvillojë ndeshjen e tij të fundit në shtëpi, para se të mbyll karrierën e lavdishme, gjatë së cilës ka fituar gjithçka që mund të fitohet në nivelin e klubeve.

19 sezone në Serie A, e fundit e përshkuar me shumë vështirësi pas rikuperimit nga lëndimi i rëndë të cilin e pësoi edicionin e shkuar, dhe me vetëm 11 paraqitje, dy xhiro para fundit të kampionatit.

Edhe në derbin e fundit të qytetit me Milanin, Zanetti nuk u paraqit në fushë. Por, ai pritet ta bëjë këtë sonte në duel me Lazion, edhe pse nuk do të ketë mbështetjen e Curva Nord, sektor që është dënuar për tri ndeshje.

Mirëpo, sipas njoftimeve në stadium do të jetë 70 mijë tifozë të tjerë. “Jam krenar me atë që kam bërë”, deklaroi Zanetti, pasi konfirmoi lajmin se do të pensionohet në fund të këtij sezoni.

Dhe, pa dyshim se krenarë janë edhe tifozët e Interit me një futbollist dhe ikonë si ai.