Lama: Gjyqtarët e Kushtetueses, me mentalitet primitiv

Gjykata Kushtetuese sot ka nxjerr vendim lidhur me kërkesën e deputetes Alma Lama që të aplikohet kuota gjinore edhe në pushtetin ekzekutiv.

Lajme

16/03/2015 23:50

Kushtetuesja vendosi që të hidhte poshtë kërkesën e Lamës, ndonëse një amendament i tillë ka marrë nënshkrimin e 56 deputetëve të Kosovës.

Deputetja e LDK-së, Alma Lama thotë se vendimi i Kushtetueses është një “paradoks”.

“Para disa kohësh, menjëherë pas krijimit të Qeverisë, u pa që gratë mbetën të papërfaqësueara, unë shkrova një amadament duke futur kuotën gjinore edhe në pushtetin ekzekutiv, i cili mori 56 nënshkrime dhe iu dërgua si kërkesë Gjykatës Kushtetuese”

“Çuditërisht, Kushtetuesja me vendimin e publikuar sot, ka dalë në përfundim se barazia gjinore zvogëlon liritë dhe të drejtat e njeriut. Ky është një paradoks”.

“Kjo ishte një befasi e jashtëzakonshme, sepse kur kërkon barazi nuk kërkon pakësim të lirive dhe të drejtave të njeriut”, tha ajo në emisionin Interaktiv të KTV-së.

Deputetja Lama tha se nuk e kupton pse Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim të tillë. Ajo madje vë në dyshim profesionalizmin e gjyqëtarëve të këtij institucioni.

“Ose me të vërtetë në aspektin profesional janë të padijshëm ose janë shumë të brumosur me mentalitetin primitiv që meshkujt duhet të jenë shumicë”.

“Kemi qeveri me 21 ministri dhe vetëm dy ministre, njëra pa portofol”, tha Lama. (lajmi.net)