LajmiVOX: Veturat në trotuare, këmbësorët në rrugë (Video)

Një gjendje e tillë në qytetin e Prishtinës është tash e sa vite, por si duket ndryshimet ende nuk kanë ardhur.

Lajme

19/11/2016 12:09

Rruga “Isa Kastrati” tek Parku i Qytetit dhe të gjitha lagjet përreth janë zonat ku kryesisht janë tepër të ngarkuara nga veturat e parkuara nëpër trotuare, shkruan lajmi.net.

Veturat vazhdojnë të parkohen në trotuare, edhe pse një gjë e tillë po pengon tej mase banorët dhe qytetarët që i frekuentojnë këto rrugë.

Problemi siç duket qëndron edhe tek mungesa e parkingjeve, por sigurisht edhe tek vetë shoferët të cilët parkohen në trotuare, aty ku duhet ecur njerëzit.

Një zonjë tregoi se edhe ka frikë në raste të tilla, kur veturat e zënë trotuarin e ajo detyrohet të dalë në rrugë.

“Shumë tollovi e madhe, nuk guxojmë as me kalu se njëherë të rrok një kerr, edhe andej tek kodra e trimave është katastrofa e zotit”, u shpreh një qytetare.

Për rubrikën LajmiVOX, një qytetar theksoi se problemi është tek komuna që bënë premtime dhe nuk bënë zgjidhje. Madje edhe nëse thërrasin policinë, ata asnjëherë nuk vijnë me kohë.

“Ka të shkojsh ky problem është i theksuar, këta të komunës gjithmonë kur vijnë premtojnë garazhe dhe nuk i bëjnë askund, është problem, edhe me thirr policinë 3-4 orë nuk vjen” tha ai.

Parkimi i veturave në trotuar po bënë të pamundur lëvizjen e lirë të njerëzve, madje përveç që po bllokon rrugët dhe po shkakton kaos, po rrit edhe rrezikun tek njerëzit e kryesisht fëmijët.

“Nuk kena as ka me kalu, parkohen aty ku është rruga për udhëtarë, rrezikojmë edhe jetën, edhe pse ne të rriturit kemi më shumë kujdes, por për fëmijët është problem”, tha një tjetër qytetare e cila has këtë problem çdo ditë. /lajmi.net