LajmiVOX: Tregu i gjelbër në gjendje të mjerë, Shpend Ahmeti nuk e mbajti premtimin (Video)

Tregu kryesor i pemëve dhe perimeve në Prishtinë, që njihet si Tregu i Gjelbër i Prishtinës, gjendet afër RTK-së, është në gjendje të mjerueshme.

Lajme

31/10/2016 17:39

Shumë probleme dhe pengesa po paraqet funksionimi i këtij tregu të  gjelbër, i cili ekziston që shumë vite në kryeqytet.

Mungon hapësira për vendosjen e produkteve, tregtarët detyrohen që t’i vendosin produktet ushqimore nëpër trotuare dhe kjo gjë paraqet rrezik për qarkullim të automjeteve në këtë pjesë të Prishtinës.

Madje halli i tregtarëve nuk përfundon këtu. Një numër i madh i tyre këtë punë e kanë burim kryesor të ekzistencës. As atyre nuk po u pëlqen kjo gjendje.

Në rubrikën tonë të përditshme LajmiVOX tregtarët shprehen të mllefosur me Qeverisjen Lokale që nuk rregulluan asnjëherë gjendjen e këtij tregu.

“Qe 15 vite është gjendje e mjerueshme këtu në tregu e gjelbër. Rrahën tregtaret gati çdo ditë për vende. Që 15 vite nuk janë në gjendje me rregullu problemin e tregut. Pat premtuar kryetari Shpend Ahmeti pat premtuar që ka me rregulluar, por ende asgjë. Që tre vite është kryetar dhe asgjë nuk ka realizuar”, u shpreh i mllefosur një qytetar.

“Kushtet nuk janë edhe shumë të këqija. Ka ankesa nga tregtarët por nuk është edhe shumë keq”, tha një qytetar

“Kushtet nuk janë edhe aq të mira për shkak se produktet janë në rrugë dhe po i pengojnë edhe qarkullimin e lirë të veturave. Premtimet e Shpend Ahmetit ishin të kota. Duhet që me ju bë zgjidhje tregtarëve. I bëjë apel kryetarit të del ndonjë  herë në këtë treg dhe ta sheh gjendjen reale”, tha një qytetar.

“Kushtet në treg janë shumë të vështira. Premtimet për me rregulluar gjendjen kanë mbet në nivel të premtimit”, tha një qytetar.