LajmiVox: Sa janë të përgatitur qytetarët për dimër?

Pas harxhimeve të bëra për pushimet verore, qytetarët tani duhet të ndajnë mjete shtese për veshmbathje, për ushqim, për turshi, për dru dhe për ngrohje.

Lajme

10/10/2016 15:57

Buxheti familjar në Kosovë në muajin tetor ngarkohet tej mase. Gjatë muajit tetor qytetarët e Kosovës bëjnë edhe përgatitjet për dimër si turshitë, ajvarin dhe blerjen e drunjve për ngrohje, etj.

Qytetarët e Prishtinës në rubrikën tonë të përditshme “LajmiVOX” thonë se muajt gjatë stinës së vjeshtës, janë më të papërballueshmit për tërë vitin, për shkak të shpenzimeve në përgatitjen e ushqimeve për dimër dhe njëkohësisht dhe sigurimin e druve, si lëndë djegëse për ngrohje.

Kostoja e lartë e çmimit të energjisë elektrike, si dhe druve për ngrohje gjatë sezonit të dimrit është vështirë e përballueshme për qytetarët.

Çmimet e druve në treg sillën për një metër 40 deri 50 euro.

“ Unë i kam bërë të gjitha përgatitjet. Çmimi i drurëve nuk është i larte në krahasim se çka heqin ata të shkret për me i marr ato dru”, tha një qytetar.

“ Tash ka filluar ftohti unë i kam marr do dru  pak po presim nxehjen qendrore.  Çmimi është i lartë”, tha njëri qytetar

“Unë ende si kam ble drutë. Shtrenjtë është shumë çmimi i drurëve”, u shpreh njëri qytetar.

“Me 75 euro qysh mu bë gati për dimër. Ne nxehmi me dru, pak kam ble do dru”, tha një qytetar.

“ Unë jetoj në banesë dhe me rrym nxehem. Për dimër gruaja ka ba gati turshitë e gjerat ushqimore”, tha njëri qytetar. /Lajmi.net/