LajmiVOX: Qytetarët shprehën të lumtur me marrëveshjen për kodin e ri telefonik të Kosovës (Video)

Kosova tashmë është bërë me kod telefonik +383, kjo si pjesë e marrëveshjes me Serbinë në dialogun Kosovë-Serbi.

Lajme

14/11/2016 19:14

Republika e Kosovës tani krijon identitetin e vet shtetëror në fushën e telekomunikimeve, pasi që do të njihet ndërkombëtarisht me kodin e saj unik shtetëror +383, njofton lajmi.net.

Me implementimin e kodit të ri, ai do të përdoret në tërë territorin e vendit dhe nga të gjithë operatorët e telefonisë mobile dhe fikse, të cilët veprojnë në Republikën e Kosovës.

E megjithatë, këtë mundësi po e gëzojnë edhe qytetarët e Kosovës, pasi deri tani ka munguar një gjë e tillë, tani duket se kjo po ua hap një mundësi të re në fushën e telekomunikimit, edhe pse po e presin me padurim dhe me shpresa që të hyjë në fuqi sa më shpejtë.

“Presim deri sa te jetë e saktë një gjë e tillë, shpresat vazhdojnë, por të jetojë njeriu vetëm në shpresa do ngelet i uritur”, u shpreh njëri qytetar.

Tjetri qytetar tha për rubrikën LajmiVOX se sigurisht kjo është një punë shumë e madhe që ka arritur ta bëjë Kosova, tanimë e pavarur.

“Një punë shumë e madhe, që prej viteve të 70’ta e kemi pritur me qenë të pavarur prej të tjerëve, kjo gjë është shumë mirë për popullin tonë”.

“Është një gjë jashtëzakonisht e rëndësishmë për Kosovën dhe sidomos për të gjitha familjet. Personalisht kam nevojë për përdorimin e tij nga Amerika por nuk mundem ta shfrytëzoj, prandaj një gjë e tillë do të ishte e mrekullueshme”, tha një tjetër qytetar.

Me implementimin e kodit të ri unik, do të eliminohen pengesat e krijuara nga mungesa e tij, respektivisht përdorimi i tri kodeve të ndryshme (aktualisht +377, + 386, dhe +381). /lajmi.net