LajmiVOX: Qytetarët konsiderojnë se Demaçi e meriton Nobelin për Paqe (Video)

Akademia suedeze ka bërë të ditur se nesër do të ndajë çmimin Nobel për Paqe. Për këtë çmim, kandidat është edhe veprimtari Adem Demaçi

Lajme

06/10/2016 15:27

Kryetari i Unionit të Shkrimtarëve të Kosovës, Reshat Sahitaj, ka deklaruar se të fitohet apo të qenit pjesë e garave për çmime botërore, siç është ai i Nobelit, është çështje e përmirësimit të imazhit të Kosovës në çdo aspekt.

Sahitaj, i cili është iniciues i kandidimit të Demaçit për këtë çmim, po beson se veprimtari nga Kosova ka gjasa të laureohet me Nobel pasi ka ndodhur disa herë që fituesit e çmimit Sakharov, të fitojnë edhe Nobelin për Paqe.

Çmimi Nobel për Paqe si asnjëherë tjetër, këtë vit ka 376 kandidatura. Sipas mediave greke, megjithëse banorët e Lesbosit kanë shumë mundësi për të qenë fitues të tij, “rrezikohen” seriozisht nga kandidatura e marrëveshjes së paqes në Kolumbi, para disa ditësh që i dha fund një lufte gjysmëshekullore.

Disa qytetarë të Prishtinës nuk kursejnë fjalët më të mira për kandidaturën e Adem Demaçit për çmimin Nobel për Paqe. Ata shprehen optimistë se nesër ky çmim do t’i ndahet Adem Demaçit.

“Për Adem Demaçit mendoj që duhet me ja dhanë çmimin. E meriton në çdo aspekt këtë çmim. Është simbol i kombit e lirisë. Ai ka sakrifikuar çdo gjë për të drejtat e barabarta. Duhet me ja dhanë këtë çmim”, u shpreh një qytetar.

“Se di a ka me marr a jo, po moti është dashtë me ja dhanë këtë çmim. E meriton Demaçi është njeri ideal për çmimin Nobel”, tha një tjetër.

“Propozim i qëlluar është. E meriton Adem Demaçi këtë çmim”.

“Ai ka qenë në burg për 30 vite dhe krejt jetën e ka kaluar në burg për këtë popull. Unë e di që ka merita të mëdha. Shpresoj që nesër t’ia japin këtë çmim sa është gjallë”, tha për LajmiVOX një qytetar.

“E meriton, e meriton, Të vegjël jemi ne të flasim për Adem Demaçin”. /lajmi.net