LajmiVOX: Mungesa e parkingjeve në kryeqytet, irriton banorët (Video)

Prishtina kryeqyteti i Kosovës, qyteti më i populluar në Kosovë ka mungesë të parkingjeve. Mungesa e parkingjeve në kryeqytet jo vetëm që shkakton kaos në komunikacion, por kjo po ua pamundëson edhe lëvizjen e lirë këmbësorëve.

Lajme

02/11/2016 23:18

Problemi  i mungesës së parkingjeve është i theksueshëm në qendër të Prishtinës, mirëpo këto ditë edhe nëpër shumë lagje të Prishtinës qytetarët janë në hall nga mungesa e vende për të parkuar veturën.

Ndonëse është jashtë të gjitha rregullave të drejtimit të ngasësh makinën në trotuar, një pjesë e mirë e shoferëve i lënë makinat aty për orë të tëra. E përderisa shoferët zaptojnë trotuaret me makinat e tyre, këmbësorët ankohen se ndihen të rrezikuar sepse shpesh janë të detyruar të ecin rrugës, sipas tyre, s’kanë kah të kalojnë pasi trotuaret janë të zëna.

Komuna e Prishtinës për vite me radhë zotohet se këtë problem do ta zgjedh së shpejti, duke i ndërtuar tri parkingje nëntokësore në tri lokacione të ndryshme të qytetit. Mirëpo, ky propozim i komunës së Prishtinës mbetet i dëshiruar, por që ende nuk po mund të realizohet.

Qytetarët në rubrikën LajmiVOX ankohen për mungesën e parkingjeve.

Një qytetar  ka thënë se shumë herë ka qenë në rrezik të shtypet nga makinat, pasi ai thotë se shpeshherë detyrohet të ecë rrugës pasi trotuaret janë të zëna nga makinat.

“Prishtina si kryeqytet më i madh duhet të ketë parkingje. Sot kur isha duke dalë,  është dashtë të kalojnë nëpër vetura që ishin të parkuar në trotuar”, tha një qytetar.

“Është shumë e domosdoshme parkingjet. Nuk janë duke u angazhuar për zgjidhjen e këtij problemi. Nuk po punohet për interesat e qytetarëve por vetëm për vete”, u shpreh një qytetar.

“S’ka sa duhet parkingje. Duhet me pas më shumë parkingje sepse personat që vinë nga vendet tjera nuk kanë se ku ta lënë veturën. Andaj nga mungesa e parkingjeve ka gjoba, bllokohet komunikacioni. Këmbësorët kanë vështirësi të ecin nëpër trotuare pasi që ato janë të bllokuar me vetura”, tha një qytetar.

“Prishtina ka shumë nevojë për parkingje. Prishtina ka nevojë për parkingje nëntokësore. Sepse nga mungesa e parkingjeve po krijohen edhe konflikte. Parkingjet e zbusin situatën dhe largon konfliktin”, u shpreh një qytetar.