LajmiVOX: Ja kë e preferojnë kosovarët në garën ndermjet Hillaryt dhe Trumpit (Video)

Në janar të vitit 2017, vendi më i fuqishëm në botë do të ketë një udhëheqës të ri.

Lajme

29/09/2016 17:09

Dy kandidat për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, republikani Donald Trump dhe demokratja Hillary Clinton, shkruan lajmi.net.

Edhe qytetarët e Prishtinës e kanë një mendim për ata, madje fare qartë Hillary Clinton është e preferuara e tyre.

Një qytetare e Prishtinës përkrah Hillaryn dhe thotë që e meriton sepse është femër dhe është e aftë, ndërkaq Trump thjesht blen vota.

“Është parë aftësia e saj çdokund,  për Trump nuk kam vërejtje por ai mund t’i blejë votat sepse është njeriu më i pasur në Amerikë”.

Siç dihet se Donald Trump ka paralajmëruar se refugjatët mysliman paraqesin një kërcënim serioz për sigurinë e këtij shteti, në anën tjetër Hillary Clinton ka bërë thirrje për rritjen e numrit të refugjatëve.

Një qytetare e Prishtinës, gjithashtu bëri të ditur se një paralajmërim i tillë si i Trump është problem i tërësishëm.

“Donald Trump mund të jetë shumë i pasur por që në fillim kur ka startuar për kampanjën zgjedhore, ai ka bërë prononcime shumë të ashpra ndaj emigrantëve në Amerikë”.

“Jam për Hillary Clinton, së pari është femër, kur e patëm një ndryshim në Kosovë pse mos të jetë një ndryshim edhe në Amerikë”, tha ajo.

Megjithatë, sipas saj Trump duhet të flasë edhe për vetën e tij, pasi edhe ai vetë është një emigrant.

“Nuk e merr vetën shembull se edhe ai është prej diku i shkuar në Amerikë”.

Duket se Hillary po kryeson në këto zgjedhje, madje edhe nga debati i fundit televiziv.

Qytetarët e Prishtinës mendojnë se Clinton duhet të jetë presidentja e ardhshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, madje në të gjitha prononcimet e tyre, del të jetë vetëm Clinton e pëlqyera e tyre.

“Hillary ka dhënë kontribut, Trump është shumë ekstremist. Ja vlen të jetë Hillary, është më e arsyeshme, më e gjindshme, më përkrahëse për të gjitha, jo vetëm për Kosovën por për të gjithë, e kemi një mik, një mbështetje”, tha një qytetar.

Një tjetër qytetar thotë se vendi ynë e as Amerika nuk kanë nevojë për një kryetar labil që nuk bënë asgjë. E edhe këta tre qytetarë janë në përkrahje të Hillary Clinton.

“Duhet me gjet guximtare, të aftë, patriote, shpirtmirë, ajo ka qenë edhe përpara dhe e din çka don me punu. Nuk duhet me qit as te na as atje kryetar labil, shkolaq sikur hulatet një lis dhe nuk bënë asgjë”.

“Ajo është udhëheqëse e zoja, e meriton me qenë presidente”, u shpreh njëri prej tyre.

Pra, Hillary vazhdon të prijë tek qytetarët tanë, madje një tjetër lutet që Trump të mos fitojë.

“Kuptohet për Clintonin, ka tradita të hershme dhe janë njerëz të mirë e demokrat të fortë. Ishalla nuk fiton ‘ai  far budalle’ kërrsh ka me na bo”… /Lajmi.net/