Lajm i mrekullueshëm

Mimoza Kusari- Lila i gëzohet raportit të Bankës Botërore. Ajo është zgjuar sot herët për t’u dhënë lajmin fansave të saj në Facebook.

Lajme

29/10/2013 10:32

Ish Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari- Lila e ka cilësuar si “lajm të mrekullueshëm” ngjitjen e Kosovës në ranglistën e vendeve që kanë bërë lehtësira për biznesin, në raportin e sivjetmë të bankës Botërore “Doing Business”.

“Dita e sotme më filloi me lajmin e mrekullueshëm për përparimin e Kosovës dhe njohjen e reformave nga Banka Botërore në ambientin e të bërit biznes në Kosovë”, ka shkruar Kusari- Lila në profilin e saj në Facebook.

“Sa isha Zëvendës Kryeministre dhe Ministre e Tregtisë dhe Industrisë, udhëhoqa një ekip të shkëlqyer profesionistësh të përgatitur në proces të reformave dhe rezultati nuk mungoi”.

”Viti i dytë me radhë që Kosova shënon përparim të dukshëm në Indeksin e të bërit biznes”.

“Këtë vit, radhitemi më mirë se Serbia, Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina. Kemi tejkaluar edhe Kroacinë dhe Maltën si vende të BE’së”.

“Kosova tani pozicionohet e 86-ta në këtë indeks, ndërsa, suksesi më i madh është se jemi Top 5’she të vendeve më reformatore në botë”.

“Ndryshimi është i mundur, me njerëzit e duhur dhe qasjen e duhur”, ka shkruar ajo.

Mimoza Kusari- Lila ka lënë në fillim të këtij muaji postet e saj në Qeverinë e Kosovës për t’u përqendruar në garën për Kryetare të Gjakovës për zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë të diel, më 3 nëntor.