Lajm i mirë: Thjeshtësohen tarifat e energjisë

Gjatë vitit të ardhshëm energjetik (1 prill 2017 - 31 mars 2018) do të ketë vetëm tarifa të ditës prej 7 centë dhe të natës prej vetëm prej 3 centë. Tarifat sezonale (verës dhe dimrit) si dhe blloqet tarifore është propozuar të hiqen.

Lajme

24/03/2017 10:55

Zyra e Rregullatorit të Energjisë po synon t’i thjeshtësojëtarifat e energjisë. Ndarja e deritanishme e çmimit të energjisë në tri blloqe është propozuar nga ZRRE-ja që të hiqet. Përveç kësaj,është paralajmëruar edhe heqja e tarifave verë/dimër. ZRRE-ja ka propozuar që të ketë vetëm tarifa të ditës dhe të natës.

Ky është propozimi i ri i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë i bazuar në raportin konsultativ për strukturën tarifore qëështëpërgatitur në vitin 2014. Aty shpjegohen në mënyrë të përgjithshme opsionet e mundshme lidhur me ndryshimin e strukturës ekzistuese tarifore.

Së bashku me raportin konsultativ, për herë të parë ZRRE-ja ka publikuar edhe një propozim për një strukturë të re tarifore.

“Çmimet e strukturës së re të propozuar paraqesin çmimet mesatare aktuale (viti rregullativ 2016)  të tarifave të niveleve të tanishme. Kalkulimet e paraqitura në këtë propozim nuk paraqesin asnjë ndryshim në vlerat mesatare të çmimeve të vitit 2016, por vetëm të strukturës si e tillë”, thuhet në nisjen e konsultimeve nga ZRRE-ja për strukturën tarifore.

Këto propozime janë bërë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, por të njëjtat janë në proces të konsultimeve publike para se ky institucion të vendosë për strukturën e re tarifore.

Sektori i Energjisë është në vazhdën e ndryshimeve pasi janë duke u implementuar ndryshimet ligjore që janë bërë vitin e kaluar në pakon e tretë ligjore. Ndryshimi i strukturës tarifore ka qenë një nga kërkesat që ishte bërë edhe në të kaluarën. Ky ndryshim i propozuar i prek familjet qëharxhojnë më pak energji elektrike, ndërsa është më i favorshëm për familjet që harxhojnë më shumë energji. Në vitin 2013 ishte bërë një tentim për të ndryshuar strukturën tatimore, por në atë kohë ZRRE-ja e kishte favorizuar strukturën e cila e stimulonte kursimin e energjisë dhe i mbronte familjet me më pak të ardhura, përkatësisht me harxhime më të vogla.

Struktura ekzistuese tarifore për konsumatorët familjarë, ndahet në dy sezone: dimëror dhe veror. Përveç kësaj, kemi tarifa të ditës dhe ato të natës, si dhe kemi çmime të ndryshme për tri blloqet tarifore (niveli prej 0 deri 200 kËh, niveli prej 200 kËh deri 600 kËh dhe niveli mbi 600 kËh).

Ndryshimi i parë i propozuar është heqja e tarifës verë/dimër.

“Një nga ndryshimet esenciale të propozuara është largimi i tarifave sezonale, ku në këtë rast, tarifat do të jenë të njëjta, pavarësisht sezonës së konsumit (verë apo dimër) dhe do të përfshijnë të gjithë konsumatorët fundorë. Ky propozim vie si rezultat i ndryshimeve minimale të kostove të furnizimit në mes të sezonit dimëror dhe veror”, thuhet në raportin e ZRRE-së.

Propozimi i ZRRE-sëështë që të ketë vetëm dy tarifa, të ditës dhe natës. Tarifa e lartëështë 7 centë për kilovat orë, kurse tarifa e ulët është propozuar të jetë prej 3 centë për kilovat/orë.

Pra, çmimi i energjisë elektrike të shpenzuar prej orës 7 të mëngjesit deri në ora 22:.00 do të jetë 7 centë për kilovat. Ndërsa, tarifa e natës prej 3 centë nis nga ora 22:00 deri në ora 7 të mëngjesit.

“Tarifa e lartë aplikohet prej orës 07:00 – 22:00, dhe tarifa e ulët aplikohet prej orës 22:00 – 07:00”, thuhet në raportin e ZRRE-së. “Me propozimin e ri tarifor, do të eliminohen tarifat sipas blloqeve të nivelit të konsumit dhe do të kalohet në tarifa mesatare ditore (ditë/natë) për çdo kËh pavarësisht sasisë së konsumuar. Në këtë mënyrë secili konsumator do të ketë shumë të thjeshtë të llogarisë faturën e tij dhe të planifikojë konsumin sipas nevojës”, thuhet në propozimin e ZRRE-së.

Kur ishin aplikuar për herë të parë, këto blloqe ishin arsyetuar me mbrojtjen e familjeve me të hyra të ulëta, të cilat do të paguajnëçmim më të lirë për rrymën e shpenzuar.

Një ndryshim tjetër i propozuar nga ZRRE-ja është ulja e tarifës fikse.

“Ndryshimi i fundit në propozimin për strukturën e re tarifore ka të bëjë me tarifën fikse e cila do të ulet për konsumatorët familjarë nga 2.5 euro në 1.8 euro”, thuhet në raportin e ZRRE-së.

Kjo strukturë e re e tarifave nuk ndikon në sasinë e të hyrave për kompanitë energjetike, mirëpo vetëm hiqen dënimet për familjet që kanë shpenzime më të mëdha të energjisë.