Lajm fantastik për të gjithë sportistët në Kosovë

Sportistët dhe trajnerët e kategorizuar të drejtat e tyre në shërbime dhe në vlerë financiare i gëzojnë në bazë të pikëve të fituara.

Sport

31/05/2017 15:53

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka nënshkruar sot rregulloren e cila përcakton kriteret për kategorizimin e sportistëve dhe trajnerëve që u takojnë klubeve që janë anëtare të federatave kombëtare të njohura nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe të licencuara nga MKRS-ja.

Në bazë të rregullores kategorizimi i sportistëve dhe trajnerëve do të bëhet në bazë të rezultatit të arritur në nivelin e garave, si Lojërat Olimpike, Kampionatet Botërore, Lojërat e Kampionatet Evropiane, Lojërat Mesdhetare dhe Kampionatet Ballkanike. Sportistët do të kategorizohen si Sportist i merituar; i klasit botëror dhe sportist i klasit ndërkombëtar.

Bazuar në kategorinë që e gëzon sportisti në bazë të kategorizimit, të njëjtën kategori në emërtim e gëzon edhe trajneri i personal i sportistit të kategorizuar.

Sportistët dhe trajnerët e kategorizuar të drejtat e tyre në shërbime dhe në vlerë financiare i gëzojnë në bazë të pikëve të fituara.

Pikët përcaktohen në bazë të nivelit të garave dhe medaljeve që do të fitojnë sportistët, dhe 50% e pikëve të tyre do t’u takojnë trajnerëve. Vlerën financiare të pikës do ta përcaktojë me një vendim të veçantë ministri, për çdo vit kalendarik.

Ministri Shala u shpreh se përmes këtij akti normativ përcaktohet trajtim më i drejtë i sportistëve në bazë të punës dhe rezultateve që tregojnë sportistët dhe trajnerët e tyre. Në anën tjetër, do të jetë edhe një nxitje për sportistët që të korrin rezultate më të mira dhe cilësia e sportit të rritet në përgjithësi në vendin tonë