Lahm ka frikë nga Ronaldo

Reprezentuesi i Gjermanisë, Philipp Lahm është shprehur i brengosur para përballjes me Portugalinë në Kampionatin botëror për shkak të formës së jashtëzakonshme të Cristiano Ronaldos.

Sport

24/05/2014 10:26

Mbrojtësi i Gjermanisë, Philipp Lahm beson se ylli i Portugalisë, Cristiano Ronaldo është në formë të jashtëzakonshme dhe mund t’ju shkaktojë telashe në ballafaqimin e tyre në fazën e grupeve në Kampionatin botëror.

Lahm dhe Ronaldo do të ndeshen edhe njëherë mes vete pas dy takimeve në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ku Los Blancos fituan me rezultat të përgjithshëm 5:0.

“Portugalia arriti në gjysmëfinale të Evropianit, njësoj si ne. Cristiano Ronaldo është duke u paraqitur në një nivel të jashtëzakonshëm”, deklaroi Lahm për Times of India.

“Dhe, ai ka një skuadër të balancuar rreth vetes. Ata mund të shkojnë larg. Ne po ashtu jemi optimist sepse kemi një skuadër shumë të mirë”, shtoi ai.

Lahm beson se askush nuk mund të thotë se Gjermania nuk mundet të fitojë Kampionatin botëror, pavarësisht dështimeve në garat e rëndësishme, në periudhën e fundit.

“Gjermanët kanë një histori të pasur të paraqitjeve të mira në Kampionat botëror. Futbollistët tanë kanë aftësi të fitojnë dhe do të bëjnë gjithçka për të fituar”, theksoi ai.