Lagja 7 Shtatori ‘xhungla’ e Pejës, e mbushur me gjarpërinj (Video)

13 shtëpi të lagjes “7 Shtatori” në Pejë janë të rrezikuara nga gjarpërinjtë, pasi këta zvarranikë jetojnë në tri shtëpi të pabanuara të lagjes.

Lajme

06/07/2015 16:14

Fatos Selmani banor i “7  shtatorit” tregon për Kallxo.com se bashkë me fqinjët e tij kanë arritur ta kapin një gjarpër të stërmadh.

“Një prej tyre kemi arrit edhe me kap gjallë, nuk e kemi mbytë. E kemi gjuajt, e kemi çu në mal e kemi lanë. Ka qenë i gjatë diku afër dy metrave. Dhe beso ka shumë fëmijë në këtë lagje që janë të rrezikum,” thotë Fatos Selmani.

Avdi Selmani që pati guximin ta kapë këtë gjarpër dhe këtë e dokumenton me foto, thotë se gjarpërinjtë janë më të rrezikshëm në temperatura të larta.

“Jem të rrezikuar prej gjarpinjve. Nuk është hera e parë, bile kam edhe fotot ku shihet shumë mirë që e kam nxënë gjarprin . Janë të rrezikuar sidomos fëmijët më së shumti. Në ditë të nxehta me temperatura të mëdha, gjarpërinjtë po dalin edhe po shëtiten rrugës,” thotë Avdi Selmanaj.

Kallxo.com ka siguruar edhe një video ku Avdi Selmanaj është filmuar duke zënë gjarprin që doli nga  “xhungla” e krijuar te shtëpitë e pabanuara.

Banorët e “7 Shtatorit” kërkojnë nga Komuna e Pejës që të reagojë për ta eliminuar këtë rrezik, pasi deklarojnë se e kanë njoftuar atë për problemin që kanë me gjarpërinjtë.

YouTube player

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Pejës, Muhamet Mahmutaj thotë se marrja me gjarpërinjtë nuk është kompetencë e drejtorisë së tij, ndërsa tregon se në këtë drejtori nuk është ankuar askush për këtë çështje.

Edhe drejtori i Shëndetësisë Petrit Loci, pasi kërkoi një ditë afat për të parë nëse largimi i gjarpërinjve është kompetencë e drejtorisë së tij, njoftoi gazetarin e Kallxo.com se as kjo drejtori nuk duhet të merret me këtë problem.

Drejtori i Bujqësisë Mehdi Mulaj ndërsa tregoi se nuk e di kompetencë e kujt është eliminimi i rrezikut nga gjarpërinjtë, u sugjeroi banorëve të Rrugës “Mustafë Abazi” në Lagjen “7 Shtatori” që t’u drejtohen veterinerëve.

“Unë kisha sugjeruar banorët e shqetësuar që të shkojnë në barnatore të veterinarisë dhe të marrin një gaz i cili shërben për t’i larguar gjarpërinjtë. Kur vendoset gazi gjarpinjtë largohen me dhjetëra metra nga ai vend,” tha Mulaj.

Derisa zyrtarët të merren vesh e kujt është përgjegjësia për gjarpërinjtë, qytetarët e Lagjes “7 Shtatori” të Pejës do të vazhdojnë të përballen me rrezikun prej tyre. /Kallxo.com