Labi mashtroi pak, shkoi në Amerikë si student i një universiteti privat (Foto)

Këngëtari Labinot Tahiri para pak ditësh ka përdorur një metodë tashmë të vjetër të politikanëve kosovarë duke bërë fotografi kokë më kokë me ish- Sekretaren Amerikane të Shtetit Madeleine Albright. 

Lajme

13/12/2014 19:28

Por, në një storie televizive të Zërit të Amerikës doli se këngëtari i muzikës tallave atje ka shkuar si një student i një universiteti privat bashkë me studentë tjerë e jo në ndonjë pritje enkas për të.

Nga kronika e Zërit të Amerikës që është publikuar në formë shkrimi në webfaqen e Zërit të Amerikës Shihet se Labi ka qenë pjesë e një grupi studentësh, shkruan Express. 

Një grup studentësh nga Kosova që ndodheshin për dy javë në Uashington, thonë se janë të zhgënjyer nga mesazhet që japin politikanët e tyre. Ata shpresojnë se do të dalë një brez i ri që do të sjellë një frymë më të mirë në skenën politike. Katër prej tyre studiojnë në Kosovë ndërsa dy të tjerë në Berlin dhe në Vjenë. 

Studentët, erdhën këtu për një kurs në Universitetin Trinity të Uashingtonit. Ata i drejton Faton Bislimi, profesor i asociuar në Universitetin e Albertës në Kanada. 

“Ne jemi këtu që nga 1 dhjetori i këtij viti, në Trinity Washington University, në një program akademik ndërkombëtar, që quhet Ëashington Ëinter School, me temë të posaçme zhvillimin ndërkombëtar dhe politikën. Ju e dini se Kosova dhe vendet e Ballkanit Perëndimor dhe një pjesë e atyre të Evropës Juglindore ende çalojnë në aspektin e zhvillimit ekonomik. Sistemi arsimor në Kosovë dhe në vendet e rajonit ende është në fazën e konsolidimit, dhe mungojnë programet që u ofrojnë studentëve dhe njerëzve profesionistë njohuri më të thelluara dhe më të fokusuara në aspektin e zhvillimit ekonomik ndërkombëtar, që posaçërisht fokusohet në vendet në tranzicion dhe vendet e pazhvilluara.” 

Filloreta Gashi, e cila studion në Gjermani, vëren se ka dallime të dukshme ndërmjet sistemit arsimor evropian dhe atij në Shtetet e Bashkuara. 

“Dallojnë shumë. Ndoshta për shkak se këtu është një qendër botërore në të cilën mblidhen të gjitha vendet e botës, përderisa në institucionet e Evropës kanë të bëjnë më shumë me kontinentin e Evropës dhe vendet të cilat janë të kyçura aty.” 

Labinot Tahiri, i mirënjohur si këngëtar në Kosovë, është student në Universitetin “Fama” të Prishtinës. 

“Është një eksperiencë shumë e veçantë për mua për arsye se nëse dëshiron të shohësh përtej kufijve, ose nëse ke ambicie përtej kufijve të imagjinosh dhe të veprosh, duhet me mundësitë që kemi të jemi disa javë apo katër vite për studime këtu në Amerikë.” 

Veç sistemit arsimor, atij i kanë bërë përshtypje disa tipare të diasporës shqiptare në SHBA. 

“Nëse duhet ta dini se ku ka mbetur atdhetarizmi shqiptar duhet të vizitoni Amerikën, ose një herë në jetë të kenë fat ta vizitojnë Amerikën dhe shqiptarët në Amerikës sepse traditat, zakonet dhe të gjitha, këtu i mbajnë. Do të thotë se respektin e madh të amerikanëve ndaj shqiptarëve vetëm këtu kam patur rastin ta shoh. Ndërsa tek ne atje, nganjëherë edhe ndërmes vetit nuk respektohen aq shumë.” 

Studentët thonë se pavarësisht përparimit të bërë nga shqiptarëve drejt integrimit evropian, mbetet ende shumë punë. Disa prej tyre shprehen të zhgënjyer nga mesazhet që ka dhënë politika në Kosovë gjatë viteve të fundit. 

“Ne jemi shtet që jemi ende në tranzicion, por jemi në një periudhë që kemi mungesë institucionale. Dhe unë besoj që politikanët tanë kanë nevojë për edukim të mëtejshëm për sa i përket marrëdhënieve me vetë publikun, por edhe premtimeve dhe vetë arsyes pse ata qëndrojnë në pozicione të caktuara politike”, thotë Merlinda Tahiri nga Universiteti i Prishtinës. 

“Tek ne është shumë vështirë të kalohet një krizë dhe një kolaps që ka ndodhur. Tani për tani, për gjashtë muaj, dhe që pas lufte e deri më sot, ka ndodhur e njëjta gjë. Nuk ka ndryshime dhe nuk do të thotë që priten ndryshime edhe për pesë ose dhjetë vitet e ardhshme”, thotë Etnik Idrizi nga Universiteti “Victor” në Prishtinë. 

“Mendoj se gjithçka në Kosovë për momentin është e politizuar. Nuk ke mundësinë ndoshta as në ndonjë firmë private të kërkosh punë dhe dikush nga politika të mos jetë i përfshirë atje,” thotë Ideal Kuçi, nga Universiteti i Vjenës, në Austri. 

Selvije Kurti thotë se në Kosovë gjithçka është e politizuar, ndërkohë që të rinjtë kanë dëshirën për të kontribuar për vendin e tyre përtej kësaj kornize. 

“Unë mendoj që në Kosovë ka nevojë për një ndryshim radikal në politikëbërje dhe me këto fytyra të cilat janë të konsumuara politikisht, dhe pastaj të përfshira në të gjitha rrjetet kriminale, të korrupsionit dhe të gjitha gjërave të këqija që ndikojnë në progresin e një shoqërie, nuk besoj që mund të kemi progres. Kosova është i vetmi vend që nuk ka liberalizim të vizave, që është diçka shumë e thjeshtë dhe është shembulli më tipik që mund të merret se sa ka ndikuar keq politika në proçesin integrues të Kosovës.” 

Studentët thonë se do të ishte më mirë që më shumë të rinj nga Kosova të vijnë për të studiuar në SHBA, por kostoja e lartë i pengon. 

“Ana financiare është problem për arsye se qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë në përgjithësi nuk e kanë standartin që t’ua ofronte komoditetin që vetë ta paguanin shkollimin. Shkollimi në Shtetet e Bashkuara është shumë i shtrenjtë. Unë besoj se ia vlen, pasi nuk e shoh si shpenzim, e shikoj si investim. Ka bursa që universitetet japin, sidomos për studentë nga vendet në zhvillim e sipër dhe të pazhvilluara. Do i kisha lutur studentët që në hulumtimin që bëjnë në shkollat ku duan të studiojnë, të mos fokusohen vetëm në shkolla ose qytete të mëdha. Gabimin më të madh që bëjnë qytetarët tanë, studentët, është se fokusohen në qytete madhore, siç është Nju Jorku, Los Anxhelos, Uashington, e ku ta di unë,” shprehet Faton Bislimi. 

Krahas leksioneve studentët janë pritur edhe nga ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright dhe kryetari i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, ish-kongresmeni Joe DioGuardi.