La Liga në Amerikë, një ndeshje zyrtare përtej Atlantikut

La Liga shkon përtej Oqeanit me ndeshje në Amerikë dhe Kanada.

Sport

16/08/2018 13:42

La Liga zbulon Amerikën. Një ndeshje zyrtare e kampionatit spanjoll, duke filluar nga sezoni që nis së shpejti, do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një nismë ekspansioni e ngjashme me atë të NBA, që luan takime zyrtare të saj në Londër.

La Liga konfirmoi nëpërmjet një komunikate zyrtare se do të zhvillojë ndeshje zyrtare në Shtetet e Bashkuara, siç ka marrë përsipër në një akord mes saj dhe Relevent, një shumëkombëshe argëtimi që pretendon të promovojë futbollin në Amerikën e Veriut.

Ideja është që këtë sezon, Barcelona apo Reali i Madridit të luajnë në Shtetet e Bashkuara një nga ndeshjet zyrtare të kampionatit.

Edhe pse marrëveshja është 5-vjeçare dhe nuk paragjykon asnjë skuadër tjetër të kategorisë maksimale të futbollit spanjoll, natyrisht që Barça apo Reali kanë më tepër sharm për t’i dhënë jetë nismës që synon promovimin e futbollit spanjoll përtej oqeanit, e madje nuk përjashtohet as mundësia që një “El Clasico” të luhet në Shtetet e Bashkuara, transmeton “SS”.

Promovimi i futbollit iberik në Amerikë apo Kanada përbën një objektiv të rëndësishëm të La Ligas, duke patur parasysh që gjithçka kthehet në marketing, të ardhura nga e drejta televizive dhe fanella të shitura në një treg që premton shumë për të ardhmen, pa harruar këtu që drejtuesit e La Ligas punojnë me qitje të largët, duke synuar të rrisin tifozët e skuadrave të tyre edhe në këndvështrimin e Kupës së Botës së vitit 2026, që do të zhvillohet pikërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.