La Decima, ëndrra bëhet realitet

Real Madrid e realizoi ëndrrën e quajtur La Decima. Los Blancos fituan finalen e Ligës së Kampionëve kundër Atletico Madridit me rezultat 4:1, pas vazhdimeve. 

Sport

25/05/2014 00:21

Real Madrid është kampion i ri i Evropës. Skuadra e Carlo Ancelottit fitoi finalen e Ligës së Kampionëve kundër Atletico Madridit me rezultat 4:1, pas vazhdimeve.

Atletico ishte pranë triumfit falë golit të Diego Godin, por Sergio Ramos e barazoi rezultatin në minutën e 93-të duke e dërguar ndeshjen në vazhdime. E atje, golat vendimtar i realizuan Gareth Bale, Marcelo dhe Cristiano Ronaldo, për triumfin historik, të dhjetë të Los Blancos.

Dueli nisi keq për Atleticon pasi sulmuesi Diego Costa u desh të zëvendësohej pas vetëm nëntë minutash lojë. Reprezentuesi spanjoll duket se nuk është rikuperuar plotësisht nga lëndimi dhe rrezikimi i trajnerit Diego Simeone zgjati shkurt dhe ai u largua duke ia liruar vendin Adrian Lopezit.

Në një lojë të baraspeshuar asnjëra nga skuadrat nuk pati ndonjë rast ideal deri në minutën e 32-të kur Gareth Bale depërtoi drejt portës së Atleticos por u ngatërrua dhe në fund goditi jashtë.

Kurse, në minutën e 36-të, Atletico kaloi në epërsi kur qendërmbrojtësi Godin e fitoi duelin ajror me Sami Khediran dhe shfrytëzoi daljen e gabuar të portierit Iker Casillas për ta dërguar topin në rrjetë.

Pas intervalit, Reali intensifikoi sulmet në kërkim të golit të barazimit dhe kërcënoi një herë nëpërmjet një goditje të lirë nga Cristiano Ronaldo.

Por, insistimi i Realit u shpagua në minutën e 93-të kur Ramos shënoi me kokë pas një rivënie nga këndi duke dërguar ndeshjen në vazhdime.

Periudha e parë nuk solli ndryshim në rezultat, deri në minutën e 110-të kur pas një topi të devijuar, Bale shënoi me kokë nga afërsia për avantazhin e Realit. 

Kurse, triumfin e Los Blancos e vulosën golat e tjerë të shpejtë nga Marcelo, dhe Ronaldo, nga penalltia.