‘La Decima’ e motivon Realin

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti thotë se shpresa për ta fituar titullin e 10’të në Ligën e Kampionëve, bën që lojtarët e tij të motivohen më shumë. Lideri i La Ligas e sheh veten pa problem në çerekfinale, pas fitores së thellë 6:1 ndaj Schalkes, në Veltins-Arena, në ndeshjen e parë të së tetës…

Sport

03/03/2014 23:14

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti thotë se shpresa për ta fituar titullin e 10’të në Ligën e Kampionëve, bën që lojtarët e tij të motivohen më shumë.

Lideri i La Ligas e sheh veten pa problem në çerekfinale, pas fitores së thellë 6:1 ndaj Schalkes, në Veltins-Arena, në ndeshjen e parë të së tetës së finales së këtij kompeticioni.

Megjithatë, trajneri italian insiston se Bayern Munichu mbetet favorit për ta fituar Championsit, ndërsa është i lumtur se Reali është i bashkuar në dëshirën e tij për ta shkruar historinë.

“La Decima është një motiv i madh për të gjithë ne. I kemi nëntë Championsa, ndërsa të gjithë ne po e presim të dhjetin dhe do të bëjmë gjithçka për ta arritur këtë”, ka thënë Ancelotti për të përditshmen spanjolle AS.

“Rivalët tanë? Të gjitha ekipet janë të rrezikshme. Në çerekfinale, të gjitha skuadrat janë konkurruese, ndërsa Bayerni mbetet favorit”, shtoi ai.

Los Blancos gjenden në krye të La Ligas, edhe pas barazimit me rivalin Atletico Madrid, 2:2. Por, ish trajneri i Juventusit, Milanit, Chelseat dhe Paris Saint Germainit, beson se gara për titull në La Liga vazhdon.

“Është e paqartë. Distanca është mjaft e vogël dhe gjithçka mbetet e hapur”, përfundoi Ancelotti. Reali e ka një pikë më shumë se Barcelona dhe tri më shumë se Atletico.