Ky shkencëtar thotë se e ka gjetur kush është Mona Liza

Një shkencëtar francez pretendon se ka zbuluar portretin e një gruaje tjetër nën pikturën më të famshme të botës – që do të thotë se Mona Liza siç e njohim mund të mos jetë vërtetë ajo, raporton BBC.

Fun

10/12/2015 18:44

Pascal Cotte, i cili ka bashkë-themeluar një kompani arti me bazë në Paris, ka studiuar punimet e Da Vinçit për 10 vite duke përdorur një teknologji të quajtur “LAM”, teknologji kjo e cila mund të zbulojë se çfarë fshihet nën ndonjë punim.

Dhe ajo çfarë Cotte thotë se ka gjetur nën sipërfaqen e Mona Lizës është një imazh i një gruaje me karakteristika të ndryshme fizike nga modeli aktual që shihet në portret, transmeton lajmi.net.

Kështu, ai thotë se portreti i fshehur shfaqë një grua me një kokë më të madhe, hundë dhe duar më të mëdha, dhe gjithashtu buzë më të vogla.

Që do të thotë se, siç thotë një historian i artit, “ishte një portret që burri i një gruaje kurrë nuk e morri”. Dhe më pas, Leonardo pikturoi pikturën më të famshme në botë mbi të. Por, jo të gjithë e kanë cilësuar këtë gjetje si të mahnitshme.

Një profesor arti nga Universiteti i Oksfordit tha për BBC se modeli i zbuluar nga ky shkencëtar është thjeshtë një evolucion i Mona Lizës përfundimtare, të cilën Da Vinçi vazhdoi ta punoi në versione të ndryshme derisa arriti rezultatet që deshi.

“Jam plotësisht i bindur se Mona Liza është Liza”, thotë ai.