Ky klub e kërkoi Memushajn para transferimit në Bari

Ledian Memushaj ka preferuar të jetë nën urdhrat e trajnerit Fabio Grosso.

Sport

23/01/2018 12:40

Zbulohen detaje të reja rreth transferimit të Ledian Memushajt te Bari në Serinë B.

Sipas Gazzetta Dello Sport, futbollisti ka pranuar ofertën ekonomike të skuadrës puljeze dhe tashmë pret vetëm “ok” përfundimtar të Beneventos.

Në fakt, sikurse thekson kjo e përditshme, për futbollistin e Kombëtares Shqiptare kishte ardhur një ofertë edhe nga Empoli, por ajo e Barit ishte me kushte më të mira, ndaj Memushaj ka preferuar të jetë nën urdhrat e trajnerit Fabio Grosso, transmeton “SuperSport.al”.

Në prononcimin e fundit pas ndeshjes së humbur 3-0 në transfertë me Bolognan, vetë Memushaj u tregua i sinqertë, duke deklaruar se pavarësisht dëshirës për të qëndruar, nuk mund të betohej për vijimin e karrierës te skuadra nga Campania.

Zyrtarizimi i marrëveshjes, nga e cila Benevento do të përfitojë 500 mijë euro, pritet të ndodhë para fundjavës.