Ky është viti 2019

Këto konkludime shkojnë së bashku: Vullneti i munguar për tu përballur me njëmendësinë këtu dhe gjetiu dhe bindja e hekurt që ne nuk mund të na gjejë gjë.

Opinion

10/01/2019 09:35

Kushdoqoftë që është pjesë e politikës kosovare sot, qoftë në Qeveri apo në opozitë, por edhe vetë qytetarët e Kosovës, po përballen kohëve të fundit me mungesën e vullnetit për të qenë më realist sa i përket zhvillimeve në Evropë dhe në Kosovë.

Në vijim të këtij konstatimi pastaj mund të mbërrihet tek një tjetër konkludim poaq problematik i cili spikatë një bindje të palëkundur të kosovarëve që asgjë e keqe nuk mund të na ndodhë, si në zhvillimet e brendshme poashtu edhe në ato që kanë të bëjnë me marrëdhëniet tona me Evropën.

Mbase, këtë ndjenjë të sigurisë e ka pakkush në Evropë sot. Së paku në këtë aspekt, po del që ne, kosovarët, vazhdojmë të jemi kampion të optimizmit në Evropë.

Zatën, këto dy konkludime shkojnë së bashku: Vullneti i munguar për tu përballur me njëmendësinë këtu dhe gjetiu dhe bindja e hekurt që ne nuk mund të na gjejë gjë.

Kur bëhet fjalë për politikën kosovare ta zëmë, mungon informacioni bazik që BE-ja e sotme të thuash nuk ka gjë të përbashkët me BE-në e kohës së Javier Solanës, e cila gjithsesi ka merita të mëdha që Kosova mbërriti të bëhej shtet i pavarur, në shkurtin e vitit 2008.

Po të ishte ndryshe, apo sikur sot Bashkimi Evropian të ishte ai që ka qenë para 10-12 viteve, nuk do të ishte e mundur që Komisioni Evropian të konstatojë qartë që Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për Liberalizimin e vizave, ndërsa qytetarët e Kosovës ende të mbeten të izoluar, si populli i fundit në Evropë që nuk e gëzon këtë të drejtë.

Në rrethanat e mëparme, rekomandimi i Komisionit Evropian do të ishte i mjaftueshëm që shtetet anëtare të BE-së ta përkrahin atë, dhe që pastaj, qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza për Evropë  (për Zonën e Schengenit).

Megjithatë, prej këndej në drejtim të Brukselit ende shkojnë mesazhet dhe porositë që kërkojnë që BE-ja ta kryejë punën, të cilët objektivisht nuk mundet.

Pritjet e politikanëve kosovarë prej Brukselit, së paku në këtë aspekt, janë joreale. Tek e mbrama, instancat më të larta të BE-së sërish kanë përsëritur këto ditë  (edhe në Takimin me Delegacionin e Kosovës për dialog), që Kosova i ka jetësuar të gjitha kriteret dhe që kosovarët meritojnë të bëhen qytetarë të Evropës, së paku në këtë dimensionin e udhëtimit të tyre.

Evropa dhe Bota realisht janë shkundur me themel  (si thuhet), por ky fakt nuk mirret dot parasyshë prej nesh, në politikën kosovare. Ndërsa me gjasë nuk ka kohë më të mirë për ne për të kuptuar se çka po ndodhë kështu në Evropë dhe në Botë se sa dimri/ pranvera e këtij viti, kur do të shënojmë njëzet vjetorin e Konferencës së Rambouilletit, të fushatës së Paktit NATO dhe çlirimit të Kosovës.

Në anën tjetër, edhe pritjet e qytetarëve të Kosovës prej shtetit të Kosovës kanë qenë më modeste, më të matura, në ato vitet e para të ekzistimit të shtetit, sepse është llogaritur që këtij shteti i duhet kohë për të qëndruar si duhet në këmbët e veta, për tu forcuar dhe për tu bërë i qëndrueshëm. Me kalimin e kohës, edhe pse në ndërkohë, për shkaqe të njohura për të gjithë ne, nuk ka ndodhë ai stabilizimi afatgjatë i këtij shteti, dhe Kosova nuk ka siguruar qëndrueshmërinë finale ndërkombëtare, (sepse nuk është bërë shtet anëtar i OKB-së), janë shtuar shumë pritjet e qytetarëve të Kosovës prej këtij shteti. Kjo më së shumti po kuptohet në ditët dhe javët e mbrama, kur thuaja të gjitha Sindikatat kanë paralajmëruar greva dhe veprime sociale ndaj Qeverosë së Kosovës, nëse në ndërkohë nuk do të ketë rritje të pagave të tyre. Me buxhetin e sotëm të Qeverisë së Kosovës, nuk është rendi që të ndodhë baraspeshimi midis kërkesave dhe pritjeve të Sindikatave dhe mundësive reale që ka kjo Qeveri për të iu përgjigjur si duhet atyre. Me gjasë, do të duhej një buxhet që do të ishte së paku pesëqind milionë më i madh, për të qenë në gjendje që të mbulohen si duhet të gjitha këto kërkesa sociale.

Sidoqoftë, më së paku duhet llogaritur që durimi i qytetarëve të Kosovës do të mund të bëhet ‘vlerë e shtuar’ e këtij vendi, sepse ai tash e sa kohë është në ato suazat e ‘rezervave të domosodshme’.

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)