Ky është rekordi që Juve synon ta thyej këtë vikend

Trajneri i Juventus, Massimiliano Allegri, ka folur në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes së kampionatit kundër Genoa-s, që skuadra e tij do të luajë ditën e shtunë.

Sport

19/10/2018 17:22

Me një fitore, Juventus do të bëhej ekipi i tretë në historinë e Serisë A që fiton 9 ndeshjet e para të kampionatit (Juventus 2005/06, Roma 2013/14). Pas këtij takimi, bardhezinjtë do të luajnë në “Old Trafford” kundër Manchester United, ndeshje e vlefshme për javën e tretë të Champions League.

GJENDJA E EKIPIT – “Lojtarët janë në formë, edhe pse disa nuk janë gati të luajnë 90 minuta”, ka thënë Allegri. “Spinazzola ka luajtur 50 minuta në miqësore, por nuk është gati për kampionatin. Douglas Costa nuk luan një ndeshje të plotë prej dy muajsh, Khedira është i vetmi që nuk është në dispozicion dhe shpresojmë të kthehet për Empoli-n ose në ndeshjen e kthimit me United”.

DYBALA – “Dybala mund të luajë, por duhet të shikoj situatën dhe të vlerësoj gjendjen e mesfushorëve para se të zgjedh sulmuesit. I vetmi që do të pushojë kundër Genoa-s është Chiellini”, ka vazhduar trajneri i bardhezinjve.

REKORDI – “Këto momente janë të rrezikshme për ne. Vijmë nga dhjetë fitore (8 në kampionat, 2 në Champions) dhe nga ndërprerja e kampionatit për shkak të kombëtareve. Të gjithë thonë se Juventus do t’i fitojë të gjitha ndeshjet e Serisë A dhe Champions-it deri në fund, por nuk është kështu”, ka paralajmëruar Allegri.

“Në katër vitet e fundit, kemi fituar vetëm 1-0 në shtëpi kundër Genoa-s. Duhet të jemi të përulur dhe t’i marrim ndeshjet me radhë. Tani na presin gjashtë ndeshje, dy në Champions, që do të jenë vendimtare për kualifikimin. Në kampionat do të kemi mundësinë, të paktën në letër, t’i vjedhim disa pikë kundërshtarëve. Ndeshja e parë pas pushimit është më e rrezikshmja”. /Lajmi.net/