Ky është momenti për Ministër

Kur rezultatet preliminare nuk i jepnin shpresë atij për sukses në garën për Kryetar të Prishtinës, ai vendosi që të kthehet në postin e Ministrit, të cilin e kishte ngrirë ditën kur kishte filluar fushata zgjedhore.

Lajme

04/11/2013 16:32

Agim Çeku ka dalë sot në vendin e tij të vjetër të punës, në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kur rezultatet preliminare nuk i jepnin shpresë atij për sukses në garën për Kryetar të Prishtinës, ai vendosi që të kthehet në postin e Ministrit, të cilin e kishte ngrirë ditën kur kishte filluar fushata zgjedhore.

Çeku ka qenë Kandidat i PDK’së për Kryetar të Prishtinës, garë në të cilën ka përfunduar i treti.

Gjatë fushatës, Agim Çeku kishe shprehur besimin e tij të plotë se do ta fitonte Kryeqytetin, i udhëhequr me moton “Ky është momenti” për ndryshim.

Ai, madje, pat thënë se mezi e pret datën 4 nëntor për t’ia filluar punës si Kryetar i Komunës së Prishtinës.

 

Por, të hënën Agim Çeku doli në vendin e punës së tij, në Ministri.

“Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), Agim Çeku prej datës 4 nëntor 2013, ka vazhduar përsëri në detyrën e Ministrit të FSK-së, pas përfundimit të garës zgjedhore dhe pas publikimit të rezultateve preliminare për kryetar komunash nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e MFSK’së.

“Ministri Çeku iu përmbajt në përpikëri obligimeve të tij si kandidat i nominuar nga subjekti i tij politik, dhe se kthimi në detyrë pas zgjedhjeve është bërë  me vendim të Kryeministrit Hashim Thaçi dhe konform ligjeve që rregullojnë këtë çështje”, thotë MFSK.

Agim Çeku kishte ngrirë aktivitetin e tij në MFSK që nga 5 tetori, ndërkohë që detyrat dhe obligimet i ka kryer ZëvendësMinistri Muhamet Latifi.