Ky është dokumenti që “Kim Jong i Prishtinës” i dërgon qytetarët në Gjykatë

Drejtoria e Inspekcionit e Komunës së Prishtinës është duke vazhduar në terren duke shqiptuar fletë paraqitje për në gjykatë ndaj çdo operatori ilegal që po e has, si dhe ndaj qytetarëve që shfrytëzojnë operatorët e tillë. Qytetarët po e kundërshtojnë vendimin e Komunës, madje po e krahasojnë  më të qeverive diktatoriale.

Lajme

21/02/2017 16:21

Fletëparaqitje për në gjykatë i është shqiptuar edhe qytetarit, Zeqir Bekolli i cili është zënë në një taksi pa dokumentacion legal.

Vendimin e kryetarit të Prishtinës e ka krahasuar me vendimet e Koresë së veriut, derisa mendon se për këtë vendim nuk ka kurrfarë baze ligjore, shkruan lajmi.net.

“Shpend Ahmeti në stilin e Kim Jongut (Korea e Veriut) gjobitë qytetarët, pa i paralajmëruar ata, pa bërë fushatë mediale për t’i informuar për rregullat e udhëtimit dhe pa u bazuar në asnjë ligj, rregullore apo udhëzim administrativ, pse ata udhëtojnë me vetura private, në periudhën kur pritjet për drejtimin e Fushë- Kosovës, për autobusë janë ende të gjata”, tha Bekolli për lajmi.net, duke shpalosur fletëparaqitjen e Komunës.

Në procesverbalin për kontrollin inspektues është shënuar se “është konstatuar se Zeqir Bekolli është udhëtarë pa biletë në transport ilegal”.

Ndërkaq, masa që po i merr Komuna janë me inicim në Gjykatë.

Arben Kushumliu, qytetarë nga Prishtina e kundërshton vendimin që të ndëshkohen qytetarët. Thotë se paraprakisht, Komuna duhet ta rregullojë transportin publik.

“Shikoni, transporti publik nuk sillet nëpër të gjitha lagjet e Prishtinës. Banoj mbi Parkun e qytetit, andej nuk ka transport publik, ne fakt nuk ka as taksi ilegale. Për të udhëtuar me autobusë dhjetësh për në Veterrnik duhet me më shumë se gjysme ore pritje, e taksia të vjen menjëherë, posaçërisht nëse kthehesh nga Veterrniku për ne Qendër, thotë Kushumliu.

Komuna e Prishtinës këtë vendim e ka marrë pasi ka lëshuar në qarkullim disa autobusë të rinj.

Lajmi.net nuk ka marrë përgjigje nga Komuna e Prishtinës lidhur më atë se cila është baza ligjore e vendimit për të gjobitur qytetarët që udhëtojnë me taksi pa dokumente.

“Duke iu falënderuar të gjithë qytetarëve për ndihmën që kanë dhënë dhe po japin për zhvillime të tilla pozitive në Prishtinë, iu bëjmë thirrje që të heqin dorë nga transporti ilegal, ashtu që ta fuqizojmë edhe më shumë, edhe më shpejtë, ndërmarrjen tonë publike. Me Drejtorinë e Inspekcionit jemi vazhdimisht në terren duke krijuar kushte për punë të mëtutjeshme të Trafikut Urban, dhe do të ndërmarrim masa ndaj çdo operatori ilegal që e hasim, si dhe ndaj qytetarëve që shfrytëzojnë operatorët e tillë”, thuhet në një komunikatë për media të Komunës së Prishtinës. /Lajmi.net/