Kuvendit i kërkohet zgjidhje për shkeljet në ZAP

Punëtorët e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) e kanë njoftuar zyrtarisht Kuvendin e Kosovës për shkeljet dhe keqmenaxhimin që pretendojnë se po i bëhet këtij institucioni nga drejtuesit aktualë.

Lajme

23/03/2015 08:33

Sindikata e Punonjësve të kësaj Zyre më 18 mars u është drejtuar me një shkresë kryeparlamentarit dhe kryetarit të Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e financave publike, përmes së cilës i kanë informuar për shkeljet dhe kërkesat, si dhe u kanë kërkuar që të ndërmarrin veprime përkitazi me kompetencat që kanë për ta ndaluar këtë keqmenaxhim.

Enver Boqolli, kryetar i kësaj Sindikate, ka bërë të ditur për gazetën se në letrën informuese janë prezantuar të dhëna të argumentuara për të paktën gjashtë shkelje nga ana e menaxhmentit aktual të ZAP-it, duke mos lënë anash edhe ato të menaxhmentit të kaluar, kur në krye të institucionit ishte Auditori i Përgjithshëm ndërkombëtar, Lage Olofsson, shkruan sot Koha Ditore.

“Ne i jemi drejtuar Kuvendit me një letër informuese se si po menaxhohet ZAP-i dhe kemi kërkuar që të ndalet ky keqmenaxhim, në mënyrë që të nxirren para përgjegjësisë ata që po menaxhojnë në këtë formë. Kemi kërkuar që të ndërmerren veprime duke i njoftuar me gjendjen”, ka thënë ai.

Boqolli ka treguar se Kuvendin e kanë informuar me kërkesat që kanë punëtorët, të cilëve ka thënë se në mënyrë të jashtëligjshme po u mohohen të drejtat, duke mos u respektuar obligimet ligjore për të paktën gjashtë çështje.

Punëtorët e ZAP-it po kërkojnë që sindikata e tyre të jetë e përfshirë në grupin punues për projektligjin e ZAP-it si palë të interesit të drejtpërdrejtë. Ata po ashtu po kërkojnë nga menaxhmenti që po drejtohet që gati prej shtatë muajsh nga Artan Venhari, i cili është vetëzgjedhur jashtëligjshëm në pozitën e ushtruesit të detyrës së Auditorit të Përgjithshëm që të respektojë të gjitha veprimet e Këshillit të Pavarur Mbikjëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës.

Sindikata gjithashtu po kërkon që të respektohet ligji për shërbimin civil për të gjitha proceset që zhvillohen në zyrë, siç janë: rektruktimi, avancimet dhe vlerësimet. Sindikata e punëtorëve pretendojnë se këto procese asnjëherë nuk realizohen bazuar në ligj.