Kuvendi të diskutojë menjëherë për UP’në

D4D ka reaguar ndaj parregullsive që po i ndodhin Universitetit të Prishtinës tash e sa muaj. Thërrasin Kuvendit që këtë çështje ta shpalosë në një seancë me një diskutim të mirë-informuar. Dhe vazhdim hetimesh nga organet e drejtësisë.

Lajme

23/01/2014 16:07

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) ka reaguar ndaj parregullsisë në Universitetin e Prishtinës, duke kërkuar nga Kuvendi që të mbajë një seancë të veçantë të mirë-informuar nga parregullsitë e UP’së.

Politizimi, mbikëqyrja e menaxhimi, nuk janë të vetmet probleme me të cilat ky Universitet përballet, konsideron D4D.

Sipas këtij instituti, UP ka shërbyer si vegël e promovimit dhe shpërndarjes së përfitimeve drejt përfituesve të sistemit klientelist, dhe kjo, sipas tyre, duhet të përfundojë.

“Problemet e UP’së janë theksuar në numër të konsiderueshëm raportesh. Ato lidhen kryesisht me politizimin, mbikëqyrjen dhe menaxhimin, rregullimin dhe funksionimin e brendshëm, zbatimin e ligjeve dhe statutit, transparencën, infrastrukturën fizike, lidhjen e programeve me ekonominë, investimet në aktivitete hulumtuese shkencore, përdorimin e teknologjisë informative dhe mobilitetin (dalës por edhe hyrës)”

“Menjëherë duhet një diskutim i mirë-informuar në një seancë të veçantë të Kuvendit dhe inicimi i ndryshimit të Statutit të UP‘së, për t’i garantuar UP’së mburojë nga ndërhyrjet ditore politike dhe organizim të brendshëm efektiv dhe llogaridhënës”.

D4D thotë se arsimi i lartë i dobët ka brengosur edhe BE’në e cila kërkon ta ngrisë cilësinë e programeve pas-diplomike. Rekomandojnë që organet e drejtësisë duhet ta vazhdojnë hetimin mbi personat e favorizuar nga politika që janë në UP.

“Arsimi i lartë i dobët ka brengosur edhe BE’në e cila kërkon nga Kosova përpjekje më të mëdha që ta ngritë cilësinë e programeve të rregullta dhe pas-diplomike, dhe për të siguruar se programet arsimore janë më të përshtatshme ndaj nevojave të tregut të punës”.

“Organet e drejtësisë duhet ta vazhdojnë hetimin dhe të mos dorëzohen para presioneve eventuale politike që t’i kursejnë personat e favorizuar nga politika. MASHT-i nuk guxon ta shikojë situatën si aktor pasiv, por duhet të kërkojë llogari nga Këshilli Drejtues. Kuvendi duhet të miratojë ndryshimet në Statutin e UP-së që e rrisin transparencën dhe e ndëshkojnë ndikimin politik”, shkruan D4D në memorandumin e saj reagues.