Kuvendi pritet të shpërbëhet pas dy javësh

Arben Gashi nga LDK, thotë se Kuvendi i Kosovës pritet të fillojë procedurat e shpërndarjes brenda dy javësh. Ndërsa Ardian Gjinit i AAK’së, thotë se nuk ka vullnet nga partitë opozitare që vendi të shkojë në zgjedhje me rrëzim të Qeverisë.

Lajme

01/04/2014 15:12

Deputetë të subjekteve parlamentare thonë se Kuvendi i Kosovës mund të fillojë procedurat e shpërbërjes pas dy javësh, gjë e cila do t’i hapte rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, raporton REL.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovë, Arben Gashi, thotë se vendi është futur në një bllokadë institucionale.

Sipas tij, e vetmja mënyrë e tejkalimit të kësaj krize është shpallja e zgjedhjeve të parakohshme.

“Janë dy metoda. Metoda e parë që do të përdoret dhe preferohet më shumë është ajo e shpërndarjes së Kuvendit e cila duhet të ndodhë me dy të tretat e gjithë deputetëve dhe kjo do të përgatitet besoj brenda dy javësh që të jetë e gatshme për procedim në Kuvend”.

“ E nëse PDK-ja nuk ka vullnet të shkohet në këtë drejtim, atëherë ne do të shkojmë me mocion mosbesimi ndaj qeverisë dhe do të shpërndahet Kuvendi”, ka thënë Gashi, për REL.

Në anën tjetër, shefi i GP të AAK’së, Ardian Gjini, thotë se mungon vullneti i opozitës që Qeveria të rrëzohet përmes mocionit të mosbesimit dhe më shumë sipas tij, po mbështetet opsioni i shpërbërjes së Kuvendit.

“Nuk po shohim vullnet te dy partitë tjera në opozitë që të procedohet me shkarkim të qeverisë dhe më tepër ka vullnet që të shpërbëhet Kuvendi”, ka deklaruar Gjini.