Kuvendi pa deputetë, opozita kërkon zgjedhje

Në seancën e Kuvendit që është duke vazhduar, po diskutohen disa pika të rendit të ditës, por nuk po votohet asnjë. Kjo për shkak të mungesës së deputetëve.

Lajme

09/07/2018 17:15

Në votim nuk ka hyrë as ratifikimi i Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe BE për pjesëmarrjen në Programin e Unionit për ndërmarrjet e vogla, COSME.

Fillimisht seanca u shty pasi ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani nuk ishte në Kuvend, shkruan lajmi.net.

Pasi Hasani raportoi para deputetëve dhe debati përfundoi, kjo marrëveshje prap nuk hyri në votim, pasi në seancë nuk ka kuorum.

Madje më herët deputetët e Vetëvendosjes kishin vendosur ta lëshojnë sallën.

Kjo ka nxitur reagimin e deputetit të LDK-së, Armend Zemaj i cili tha se pozita nuk i ka votat, dhe si rezultat nuk po mund ta vazhdojë qeverisjen.

Ndaj Zemajt reagoi shefi i deputetëve të Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi i cili tha se nuk është mirë që qeveria të ketë mbi 80 vota.

“Ne e kuptojmë opozitën për kërkesën për zgjedhje, por në kësi marrëveshje duhet të ketë bashkëpunim”, tha Sherifi.

Gjatë debatit deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu kërkoi zgjedhje të menjëhershme.

“Zgjidhja për këtë situatë janë zgjedhjet. Mos pritni që opozita t’ua bëjë numrat”, tha ajo.

Ndryshe debati në Kuvend po vazhdon për plotësim-ndryshimin e ligjit për automjete. /Lajmi.net/