Kuvendi nuk shpërbëhet këtë javë

Minoritetet do të votojnë për FAK nëse ju vazhdohen ulëset e rezervuara, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi, i cili thotë se LDK është subjekt që nuk po pranon një kompromis të tillë. Ai thotë se nëse nuk themelohet FAK këtë vit, atëherë Kosova nuk do të ketë këtë shans edhe për vite të tëra.

Lajme

24/04/2014 09:21

Kuvendi i Kosovës nuk do të shpërbëhet pa e miratuar edhe ndryshimet kushtetuese për themelimin e Forcave të Armatosura. Kështu ka thënë një burim i gazetës Koha Ditore.

Koha Ditore raporton se Qeveria po insiston që FAK të kryehet para se të shkohet në zgjedhje. Në një bisedë për gazetën, Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se minoritetet nuk janë problem, pasi që ata kanë vënë si kusht ulëset  e rezervuara, në mënyrë që të votojnë FAK.

Ai ka thënë se LDK është ajo që nuk po pranon, anipse ai mendon se nga vazhdimi i ulëseve të rezervuara LDK do të mund të humbiste “një ulëse në Kuvend dhe jo më shumë”. Një ulëse ose dy do të mund të humbiste edhe PDK dhe po ashtu nga nj deputetë më pak mund të kenë edhe partia e tretë dhe e katër.

Kryeministri Hashim Thaçi ka bërë thirrje që çështja e FAK-ut të futet në rend dite.

“Është e pajustifikueshme çdo shtyrje e mëtutjeshme e Kuvendit të Kosovës që të mos e vërë në rend të ditës. Ky votim do të duhej të ndodhte në ditët e ardhshme. Nëse e humbim këtë shans historik që e ka Kosova në ditët e ardhshme.. .Kosova e humbë shansin për disa vite të tëra”, ka thënë Thaçi.