Kuvendi nuk i përfundoi as gjysmën e punëve

Kuvendi i Kosovës vitin 2014 do ta përmbyll me dështim sa i përket përmbushjes së strategjisë legjislative. Legjislativi i vendit për vitin 2014, kishte paraparë rreth 100 projektligje për t’i proceduar dhe shqyrtuar. Por nga ky planifikim, deputetët kanë arritur që vetëm 25 ligje t’i miratojnë.

Lajme

27/12/2014 15:13

Kuvendi i Kosovës në vitin 2014 ka dështuar ta përmbush strategjinë legjislative, duke mos arritur të miratoj projektligjet që kishte paraparë t’i shqyrtojë dhe miratojë. Shkak për këtë ishte shpërndarja e Kuvendit me 7 maj 2014, për t’u mbajtur zgjedhjet me 8 qershor, pasuar me ngërçin politik që zgjati plotë gjashtë muaj.

Deputetë të Kuvendit dhe shoqëria civile thonë se kjo i ka shkaktuar legjislativit dëme të mëdha por edhe më shumë qytetarëve, meqë shumë ligje kanë qenë në plotësim, ndryshim dhe nevoja për t’u miratuar ka qenë e madhe.

Në strategjinë legjislative për vitin 2014, Kuvendi i Kosovës kishte paraparë rreth 100 projektligje për t’i proceduar dhe shqyrtuar. Por nga ky planifikim, deputetët kanë arritur që vetëm 25 ligje t’i miratojnë.

Në momentin e shpërndarjes së Kuvendit, 30 projektligje kanë mbetur në procedurën e shqyrtimit që, sipas rregullores së punës së Kuvendit, ato projektligje që mbesin në procedurë, rikthehen edhe një herë nga fillimi në Qeverinë e Kosovës.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherit shefe e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Donika Kadaj-Bujupi, thotë për KosovaPress se agjenda zgjedhore gjatë tërë vitit 2014 ka ndikuar shumë në punën e Kuvendit por edhe në institucionet tjera.

“Mos zbatimi i ligjit, sigurisht edhe mos miratimi i tyre, por me theks të veçantë mos zbatimi i ligjit në fakt është problemi kyç i cili funksionimin e mirëfilltë të jetës së qytetarit”.

“Nëse ai ballafaqohet me prokurorin, gjyqtarin, me policinë, me shëndetësinë, me arsimin, të gjitha këto fusha të rregulluara me ligje të veçanta, asnjë prej tyre nuk zbatohet dhe qytetarit i mbetet ose të shkojë rrugës përmes ligjeve të veta siç po funksionon sot fatkeqësisht shoqëria në Kosovë, ose të pret pafundësisht për të realizuar një të drejt të tij”, tha Kadaj-Bujupi.

Edhe deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu thotë se sikurse edhe vitet tjera edhe në vitin 2014 nuk janë përfillur agjendat legjislative.

Ajo shprehet se rreth 93 për qind kanë qenë ligje në plotësim ndryshim, dhe nuk ka pasur projektligje nga fillimi që janë paraparë për shqyrtim dhe miratim në strategjinë legjislative të Kuvendit për vitin 2014.

“Kosova nuk është se vuan nga mungesa e ligjeve, ne kemi ligje, mirëpo çështja është se ato ligje po mbesin të pazbatuara në praktikë. Disa prej tyre janë bërë shpejt e shpejt dhe nuk përshtaten me rrethanat, mirëpo disa të tjerë janë në thelb ligje të mira, por ato nuk po zbatohen nga institucionet që janë të thirrura t’i zbatojnë ato ligje”.

Mos përmbushja e strategjisë legjislative për vitin 2014 nga Kuvendi i Kosovës, për Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës, është dëm shumë i madh, sepse njëra prej funksioneve më të rëndësishme të Kuvendit është ligj-bërja. Madje, sipas tij, janë dy dëme të mëdha që i janë shkaktuar shtetit të Kosovës.

“E para është moskompletimi i pakos ligjore ose strukturës, kornizës së legjislativit të vendit, sepse një numër i tyre janë në plotësim-ndryshim dhe këto janë fakte që na sjellin në kujtesë që ato ligje kanë problem në zbatim”, ka thënë Selmanaj.

Ai shprehë shqetësim se ky vit i humbur për Kuvendin e Kosovës, dhe do t’i kushtojnë shumë shtetit në shumë aspekte.  

Ndërsa, programi i Punës se Kuvendit për vitin 2015, do të hartohet duke u bazuar në Programin Legjislativ të Qeverisë për vitin 2015 dhe planet e punës se Komisioneve Parlamentar.