Kuvendi mund të shpërbëhet për dy javë

Isa Mustafa thotë se Kuvendi mund të shpërbëhet pas dy javësh. Ai thotë se pothuajse të gjithë liderët politikë janë pajtuar që zgjedhjet të mbahen në qershor. Thotë se LDK nuk do të bëjë koalicion me PDK.

Lajme

03/04/2014 08:38

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa thotë se ka gjasa që Kuvendi i Kosovës të shpërbëhet pas dy javësh, ashtu siç kishte deklaruar ditë më parë deputeti i LDK-së, Arben Gashi.

Në një intervistë dhënë për të përditshmen “Zëri”, Mustafa thotë se në takim me Hashim Thaçin janë marrë vesh që shpërbërja e Kuvendit të bëhet në marrëveshje me të gjitha subjektet politike.

“Unë mendoj që mund të shpërbëhet. Para se të shpërbëhet mendoj se është një obligimi i yni nga faktori ndërkombëtar që duhet të vendosim për mandatin e EULEX-it”.

“Shpërbërja e Kuvendit mund të ndodhë me një marrëveshje të përbashkët nga të gjitha subjektet politike. Kur kam biseduar me Thaçin ideja ka qenë që ne ta bëjmë një tekst të harmonizuar ndërmjet subjekteve politike”.

“Kjo do të bëhet mbi atë se Kuvendi është jofunksional dhe se ekziston vullneti që për shkak të sigurimit të një pushteti, i cili ka legjitimitet tentohet të shkohet në zgjedhje të parakohshme, në mënyrë që të mos dëmtohet vendi nga vendimet që merren tani ose që mund të merre”.

“Pas shpërbërjes së Kuvendit, brenda 8 ditësh Presidentja duhet t’i shpallë zgjedhjet. A do t’i shpallë ajo pas 45 ditëve apo më shpejtë, është çështje e saj sepse 45 ditshi është afati i fundit”.

Isa Mustafa thotë se në takim me liderët pothuajse të gjithë janë pajtuar që zgjedhjet të mbahen në qershor.

“Sipas meje zgjedhjet mund të mbahen në fund të majit apo në mesin e qershorit”.

“Nuk mund të flas në emër të subjekteve tjera, mirëpo unë kam pas takime me zotëri Thaçin, me Haradinajn, me Pacollin, me Limajn, me Ferid Aganin dhe të gjithë këta janë pajtuar që do të ishte mirë të mbahen në qershorë. Disa prej tyre kanë thënë se do të ishte mirë të mbahen në shtator, për disa arsye të brendshme, por ata kanë thënë se nëse ka pajtim të shumicës edhe ata i bashkëngjiten”.

Kryetar i LDK-së, Mustafa thotë se nuk ka asnjë marrëveshje për koalicion me PDK-në. Versioni se Mustafa do të merrte postin e Kryeministrit ndërsa Thaçi postin e Presidentit, sipas Isa Mustafës nuk qëndron.

“Ne nuk mendojmë që të bëjmë koalicion me PDK-në në të ardhmen. Ne mendojmë që PDK-ja duhet të kalojë në opozitë, ndërkaq do të bëjmë përpjekje q  të orientohemi prej partive në opozitë, por pa përjashtuar ato në pozitë si AKR-në dhe PD-në, pra do të shohim se sa ka interes që t’i ofrojmë ato”.

“Por gjithsesi që PDK duhet të jetë në opozitë dhe gjithsesi që Thaçi mos të jetë president. Pra nuk ka asnjë marrëveshje të tillë dhe as që do të ketë”, ka thënë Isa Mustafa për Zëri.