Kuvendi mohon se është marr vendim për rritje të pagave për deputetët

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk do ta kenë luksin që t’i marrin pagat me rritje siç edhe u raportua sot.

Lajme

28/03/2017 15:29

Kjo pasi një rritje e tillë nuk do të bëhet për ta, por është një buxhet shtesë për deputetët të cilët në legjislaturën tjetër nuk do të kenë mundësinë të marrin postin e deputeti.

Këtë e ka sqaruar për Express, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi. Sipas tij, kjo është paraparë për ata deputetë të cilët nuk do të jenë më deputetë dhe të njëjtëve u sigurohet paga për një vit.

“Bëhet fjalë për një buxhet shtesë për vitin 2018. Deputetët të cilët nuk arrin të bëhet deputetë në legjislaturën tjetër për një vit e kanë mundësinë të marrë pagë”, tha Krasniqi të martën për Express.

Tutje ai shpjegon se këto paga sigurohen për 60-ose 70 deputetët të cilët, siç tha ai, nuk arrin të jenë përsëri në këtë pozitë.

“Është buxhet shtesë për vitin 2018 për deputet që nuk arrin të marrin këtë pozitë pra atyre u sigurohen paratë, d.m.th kjo ka të bëjë për periudhën maj 2018 deri në prill 2019”, tha ndër tjerash ai.

Ndryshe pas raportimeve për rritje pagash për deputetët e Kosovës, reagoi edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, u shpreh kategorikisht kundër rritjes së pagave për deputetët e Kosovës.