Kuvendi miraton ndryshimin e nenit për kompensimin e dëmeve joekonomike

Me 74 vota për, asnjë kundër dhe vetëm një abstenim, Kuvendi i Kosovës miratoi në parim ndryshimin e nenit 69 të ligjit për Financa Publike, ku kërkohet kompensimi i dëmeve joekonomike për viktimat e shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Lajme

07/05/2015 11:15

Rreth 13 mijë qytetarë të Kosovës kanë nënshkruar nismën legjislative për të ndryshuar nenin 69 të Ligjit për Financat Publike, i cili nuk parasheh kompensimin e dëmeve joekonomike.

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, e cila prezantoi këtë nismë, e cila është në kuadër të kampanjës “Drejtësia dhe Qytetarët” tha se përmes ndryshimit të këtij neni, synohet që të rritet përgjegjësia karshi respektimit të të drejtave të njeriut.

“Nisma e cila është në kuadër të kampanjës ‘Drejtësia dhe Qytetarët’, ka propozuar amendamentimin e nenit 69 të këtij ligji, për të lejuar kompensimin e dëmeve joekonomike për viktimat e shkeljeve të të drejtave të njeriut”.

“Përmes këtij neni synohet që ligji të jetë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe konventat ndërkombëtare dhe të rrisë përgjegjësinë e zyrtarëve publik në respektin e të drejtave të njeriut”, tha Osmani, duke shtuar se rasti i Diana Kastratit tregon se edhe Gjykata Kushtetuese dëshmoi se familja e saj kishte pasur humbje kryesisht joekonomike, pra vuajtje dhe zi.

Të gjithë përfaqësuesit e partive politike, u shprehën pro kësaj nisme.

Ndërkaq, ministri i Financave, Avdullah Hoti, duke folur për koston që mund të ketë ky ndryshim i ligjit, tha se Qeveria tashmë ka një propozim për këtë çështje, por se theksoi se drejtësia duhet të vihet në vend, paravësisht kostos buxhetore.

“Drejtësia duhet të vendoset pavarësisht kostove buxhetore që do të ketë. Ne jemi pak të preokupuar me menaxhimin e këtyre kostove, por këto do t’i shqyrtojmë në dy leximet”, tha ministri Hoti. /lajmi.net/

YouTube player