Kuvendi “merr në qafë” 233 biznese

Agim Shahini thotë se vendimi që 233 ankesa të hidhen si të pabaza, është i ngutshëm dhe jo i analizuar mirë. Nuk e përjashton mundësinë që operatorët ekonomikë të bëjnë padi ndaj OSHP’ës, megjithëse thotë se AKB nuk e ka këtë të drejtë.

Lajme

30/03/2014 15:30

Zvarritja e aprovimit të emrave për Bordin Drejtues të Organit Shqyrtues të Prokorumit (OSHP)  për 8 muaj me radhë nga ana e Kuvendit të Kosovës, ka dëmtuar shumë biznese kosovare.

Bordi i ri i këtij organi i miratuar nga Legjislativi para dy javësh ka “penalizuar” 233 operatorë ekonomikë, duke i refuzuar të gjitha ankesat që kishin ardhur në adresë të Gjykatës së Tenderëve.

Ankesat e këtyre bizneseve datojnë që nga korriku i vitit 2013, ndërsa nuk kanë mundur të shqyrtohen pasi ky organ ishte pothuajse i paralizuar që nga muaji gusht, kjo për shkak se prej pesë anëtarëve sa ka bordi, katër prej tyre u kishte skaduar mandati.

Për këtë, operatorët ekonomikë mund të padisin Organin Shqyrtues të Prokurimit pasi kjo e fundit ka dështuar të shqyrtojë ankesat e tyre.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, në një bisedë për lajmi.net nuk e përjashton mundësinë që bizneset të bëjnë padi konform udhëzimit juridik.

Megjithatë, sipas tij, AKB nuk e ka këtë të drejtë, por mund të ngrit shqetësimet e tyre, nëse këtë gjë e kërkojnë operatorët ekonomikë.

“Mund të ketë elemente të pakënaqësisë së bizneseve të cilat e kanë udhëzimin juridik që të veprojnë më tutje. Ne si Aleancë nuk e kemi këtë të drejtën, kurse secili operator ekonomik e ka të drejtën që të veprojë në atë formë”.

“Nëse ata operator ekonomikë kërkojnë nga ne që të bëjmë ngritje të ndonjë shqetësimi për këtë çështje ne do ta bëjmë. Por, i mbetet operatorëve ekonomikë që veç e veç të vendosin secili dhe të marrin vendimin”.

Në konkluzionet e një dokumenti të OSHP’ës, thuhet se shqyrtimi i ankesave të operatorëve ekonomikë refuzohet, konfrom nenit 117 të LPP’së dhe nenit 79.1  lidhur me nenin 131 të Ligjit mbi Procedurat Administrative.

Ndërsa, të gjithë Operatorëve Ekonomikë konfrom nenit 118, Ligji 04/L-42 të LPP-ës u kthehet tarifa në vlerë prej 500 euro, pasi që për këto ankesa nuk ka pasur një shqyrtim meritor brenda afatit të lejuar ligjor.

OSHP arsyetohet se vendimin e ka marrë në përputhje me nenin 117 në bazë të cilit afati i fundit për marrjen e vendimeve meritore nga ana e panelit shqyrtues, lidhur me ankesat e deponuara nga ana e operatorëve ekonomik, është 34 ditë, ndërsa ankesat e pranuara nga OSHP datojnë nga korriku i vitit 2013 e deri më datën 13.02.2014 të cilat nuk janë shqyrtuar nga ana e panelit shqyrtues në mungesë të anëtarëve të bordit të OSHP’ës.

Pra në rastin konkret kemi të bëjmë me tejkalimin e afatit ligjor për shqyrtimin e ankesave thuhet në dokumentin e këtij organi.

Por, Shahini thotë se megjithëse bëhet fjalë për një organ të besuar, vendimet për refuzimin e 233 ankesave janë zgjidhur për një kohë shumë të shpejtë dhe pa u analizuar si duhet.

“Megjithatë ka shumë raste ku është parë se ai organ ka vepruar jo drejtë  gjatë ndjekjes së proceduarve bizneset kanë fituar.

“Dua të besoj që në këto raste ka vlerësuar drejtë, por 200 ankesa të hidhen si të pabaza, mendoj që ky organ i ka zgjidhur për një kohë të shpejt pa i analizuar mirë”, ka thënë Agim Shahini për lajmi.net.