Kuvendi Komunal i Prishtinës të premten debaton për Xhaminë

Asambleja e Komunës së Prishtinës, të premten do të debatojë për Xhaminë Qendrore që pritet të ndërtohet në Prishtinë.

Lajme

17/07/2017 13:26

Zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu, për Kallxo.com tha se për xhaminë do të debatohet në mbledhjen e 25 korrikut.

“Mbledhja e asamblesë është caktuar me u mbajt me 25 korrik. Njëra prej pikave të rendit të ditës është çështja e xhamisë”, tha ajo.

Debati për xhaminë është hapur pas kërkesës së një grupi të qytetarëve që BIK-ut të mos i lëshohet leja për ndërtimin e xhamisë.

Bashkësia Islame e Kosovës thotë se nëse nuk do të marrin leje për ndërtimin e xhamisë ata do të vazhdojnë ndërtimin edhe pa leje.

Sot gjatë ditës, për Kallxo.com, është prononcuar edhe zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu, i cili tha se do të presin deri sa të merret vendimi në Asamblenë Komunale për të parë se çfarë do të veprojnë tutje.

Një takim është mbajtur javën e kaluar mes kryetarit të BIK-ut Naim Tërnava dhe kryetarit të Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, i cili ishte shoqëruar nga Albin Kurti,  për ta diskutuar këtë çështje. Ahmeti kishte thënë se xhamia do të ndërtohet.