Kuvendi i Maqedonisë sot vazhdon seancën konstituive

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot do ta vazhdojë seancën konstitutive, në të cilën debatohet për zgjedhjen e kryetarit, zëvendëskryetarit, anëtarëve dhe zëvendësve të tyre të Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve. Në rend dite të seancës është edhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.

Lajme

28/03/2017 09:33

Deputetët e VMRO-DPMNE-së dje në ekspozetë e tyre kërkuan që të respektohet vullneti i shumicës gjatë zgjedhjes së kryetarit të Komisionit dhe të Kuvendit, që, siç theksuan, gjithmonë ka ardhur nga grupi parlamentar fitues.

Lidhur me përbërjen e Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve sipas asaj që paraprakisht është dakorduar, VMRO-DPMNE do të përfaqësohet me gjashtë anëtarë, LSDM do të ketë pesë, ndërsa BDI dhe BESA nga një anëtar, shkruan AlsatM.

Nga BDI si anëtar është përzgjedhur Xhevat Ademi ndërsa nga Lëvizja BESA Zeqiria Ibrahimi, nga VMRO-DPMNE, Antonio Milloshoski, i cili është propozuar edhe kryetar i Kuvendit si dhe Kërsto Mukoski, Daniella Rangellova, Dimitar Stevanaxhia dhe Bllagica Lasovska, nga LSDM Goran Misovski, Damjan Mançevski, Petre Shilegov, Muhamed Zeqiri dhe Ivana Tufegxhiq.

Konfirmimi i propozimit për përbërje të Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve është parakusht për vazhdim të seancës konstituive kuvendore e cila filloi më 30 dhjetor të vitit 2016, por u ndërpre, për shkak se nuk u sigurua shumicë parlamentare për zgjedhje të kryetarit të Dhomës Ligjdhënëse.