Kuvendi i Kosovës kërkon hetim ndërkombëtar për rastin e Kumanovës (Video)

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ende nuk ka dhënë ndonjë qëndrim lidhur me lajmin për pjesëmarrjen e anëtarit të kësaj partie, Xhafer Zymberi nga Gjakova, në konfliktin e armatosur në Kumanovë.

Lajme

12/05/2015 13:07

Shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se kjo parti nuk ka informata zyrtare për përfshirjen e Zymberit në konfliktin e armatosur të së shtunës.

Donika Kadaj-Bujupi, shefe e GP të AAK-së
Donika Kadaj-Bujupi, shefe e GP të AAK-së

 

“Nuk kemi asnjë informatë zyrtare për përfshirjen apo vdekjen e tij në konfliktin e Kumanovës”.

Ajo është pajtuar që ligji i cili ndalon përfshirjen e qytetarëve në konflikte jashtë vendit, duhet të respektohet edhe në rastin e Kumanovës.

Kadaj-Bujupi ka kritikuar qeverinë duke thënë se nuk ka pasur qëndrim të qartë për ngjarjet në Maqedoni.

“Ka qenë një qëndrim i turbullt me një qasje jo serioze”, ka thënë shefja e GP të AAK-së, ndërsa ka shprehur shqetësim për ngjarjet në Kumanovë, duke dënuar dhunën atje.

Adem Grabovci, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së
Adem Grabovci, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së

 

Edhe Adem Grabovci, shef i Grupit Parlamentar nga PDK, kanë dënuar dhunën e përdorur nga forcat policore maqedonase ndaj shqiptarëve të Kumanovës, dhe ka kërkuar hetim ndërkombëtar nga Bashkimi Evropian (BE).

Këto komente ai i ka bërë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Grabovci ka thënë se ky është një veprim me prapavijë politike, duke shtuar se shteti maqedonas po ua mohon të drejtat shqiptarëve duke bërë thirrje që të respektohen të drejtat e tyre.

I pyetur nëse qytetarë të Kosovës janë të përfshirë në këtë aksion, siç kanë deklaruar zyrtar nga Shkupi, Grabovci ka thënë se këto deklarata bëhen nga shteti i Maqedonisë për të mbuluar krimet e bëra ndaj shqiptarëve.

YouTube player