Kuvendi e quan Isa Boletinin shembull të atdhedashurisë

Isa Boletini ishte shembull i atdhedashurisë, nuk kishte interesa personale dhe po kthehet në atdhe me porosinë: Me atdheun nuk bëhet pazar.

Lajme

09/06/2015 12:48

Kështu u tha në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, në vazhdën e aktiviteteve të shumta para rivarrimit të eshtrave të tij.

Sipas deputetëve të Kosovës, Isa Boletini ishte i pathyeshëm dhe do prehet i qetë vetëm kur Mitrovica të bashkohet.

“Isa Boletini meriton respektin e gjithë shqiptarëve dhe se varri i tij do të kthehet në faltore për të gjithë shqiptarët e Ballkanit”, tha ndër të tjera Xhavit Haliti nga PDK-ja, raporton lajmi.net.

Kurse Sabri Hamiti nga LDK, në fjalën e tij gjeti vend edhe për disa vargje kushtuar Isa Boletinit.

E Glauk Konjufca nga Vetëvendosje ka thënë se Isa Boletini është një nga figurat qendrore të historisë shqiptare.

“Isa Boletini ka qenë i pa thyeshëm. Asnjë privilegj, asnjë pasuri e asnjë favor nuk e lëkundi atë që ta bënte qoftë edhe një hap të vetëm kundër popullit të vet”, tha ai.

Ndër të tjera tha se Isa Boletini nuk e shihte lirinë e kombit si një mundësi për vete.

“Vetëm kur Mitrovica të bashkohet ai do prehet i qetë”, tha Konjufca.

Ndërsa, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se Isa Boletini po i kthehet atdheut me porosinë se ‘me atdheun nuk bëhet pazar’.

“Figura e Isës edhe tani 99 vjet pas vdekjes le të jetë shembull për të gjithë që interesi për atdheun duhet vendoset para çdo interesi tjetër”, tha Haradinaj.

Në fund të kësaj seance Valdete Bajrami nga NISMA për Kosovën tha se kjo që po bëhet për Isa Boletinin, është nderimi që ai e ka merituar.

Sipas saj, Isa Boletini e ka shfaqur atdhedashurinë e tij shumë herë dhe ka qenë njëri nga udhëheqësit më me integritet të kryengritësve shqiptarë për liri.

Kuvendi gjatë seancës solemne për rivarrimin e Isa Boletinit