Kushtetuta s’e pengon Jahjagën që t’i shpallë zgjedhjet (Video)

Presidentja Atifete Jahjaga mund të shpallë zgjedhjet pasi që vendi që prej 8 qershorit ndodhet në një krizë politike, ku nuk po mund të formojë institucionet. 

Lajme

04/11/2014 14:01

E para e vendit, si garante e funksionimit kushtetues të institucioneve të vendit, mund të shpallë zgjedhjet dhe për këtë, sipas analistit Naim Rashiti nuk do të ketë asnjë pengesë kushtetuese e ligjore.

Në një intervistë për lajmi.net Rashiti tha se Presidentja mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe përmes diskrecionit ajo të ketë në dorë që të vendos se a do ta çojë vendin në zgjedhje.

“Presidentja si garante e funksionimit kushtetues të institucioneve të vendit, ka të drejt që në këtë situatë të shpallë zgjedhjet sepse janë bërë muaj, janë shkel të gjitha afatet. Natyrisht që Presidentja do të kishte qenë mirë që këtë ta bënte në konsultim me partitë politike, të merrte miratimin e tyre, apo minimalisht të bënte një konsultim me partitë politike”.

“Unë nuk besoj se ka ndonjë pengesë kushtetuese dhe ligjore që ajo t’i shpall zgjedhjet. Jam i bindur, se nëse Presidentja do ta pyeste Gjykatën Kushtetuese për këtë rast, minimalisht Kushtetuesja do ta ngarkonte me diskrecion, e cila pastaj si çështje do të mbetej në diskrecionin e presidentes që të gjykojë se në çfarë situate duhet të shpallen zgjedhjet”.

“Deputetët e zgjedhur sot, janë deputet përfaqësues por nuk janë legjislativ, kështu që nuk mund të ushtrojnë detyrat e tyre sepse Kuvendi nuk ekziston. E deri sa nuk ekziston Kuvendi është logjikë e presidentit që të krijojë rrethana që të krijojë një Kuvend, e që deputetët nuk po arrijnë ta bëjnë. Atëherë duhet ardhur deri tek një proces i ri zgjedhor, për të ardh deri tek krijimi i Kuvendit të ri. Jam i bindur që nuk do të ketë pengesa kushtetuese për këtë”.

“Presidentja e ka të drejtën të konsultohet me Gjykatën Kushtetuese. Unë mendoj se zgjedhjet janë një proces politik në kuadër të një kornize ligjore prandaj është më shumë vendim politik”.

Rashiti mendon se liderët duhet të veprojnë, të mos rrinë duarkryq, të fillojnë një procedurë e cila në fund do të çonte deri tek formimi i institucioneve. Sipas tij, ata nuk duhet të jenë “kaq komod” në këtë situatë, duke mos kontribuar në qartësimin e rrugëdaljes nga ky ngërç.

“Liderët e partive kryesore në veçanti duhet t’i japin kahe procesit, të jenë në gjendje të ulen dhe ta përafrojnë procesin, që së paku të pajtohen për një procedurë, për një rend procedurash, për një rend dite se si të vihet deri tek formimi i institucioneve. Nëse kjo është e pamundur, ata duhet të deklarohen hapur që të shkojmë në zgjedhje. Kjo është situata më e mirë dhe përgjegjësia që kërkohet nga liderët”.

“Liderët nuk mund të jetojnë kaq komod në këtë situatë edhe ta thellojnë ngërçin, jo vetëm sa i përket mosfunksionimit të institucioneve por edhe rendit kushtetues sepse po e bëjnë gjithnjë e më të paqartë rrugëdaljen nga kjo gjendje”.

Sipas Naim Rashitit për tejkalimin e ngërçit është tejkaluar çdo afat. Ai mendon se me ndihmën e presidentes Jahjaga duhet fillojë procesi i krijimit të institucioneve.

Ai për lajmi.net tha se edhe deputetët në të njëjtën kohë,  njërën anë – në  vazhdimin e seancës konstituive- por dhe liderët në anën tjetër- në takim me Presidenten- duhet të provojnë që të gjejnë zgjidhje.

“Çdo formë e cila e fillon procesin, dje, sot nesër. Duhet të fillojë procesin. Duhet të shohim që politika po provon çdo ditë e jo të qëndrojnë kështu dhe të komunikojnë përmes mediave në distancë”.

“Zgjidhja më e shpejtë është që presidentja të ofrojë një agjendë të procedurës për formimin e institucioneve mbi tavolinë të gjitha partive politike, sa më shpejt. Në të njëjtën ditë që do të bëhej vazhdimi i seancës deputetët do të diskutonin dhe të provonin që të gjejnë zgjidhje, liderët do të uleshin në zyrën e saj në kërkim të zgjidhjes”.

“E keqja është se nuk po shohim një proces që po ndodhë, e derisa s’ka proces nuk do të ketë zgjidhje. Kështu që presidentja duhet të inkurajojë palët që të futen në proces, deputet në njërën anë dhe liderët në anën tjetër të bëjnë përpjekje për gjetjen e zgjidhjes, që së paku të kalohet faza e konstituimit të Kuvendit”, tha Naim Rashiti për lajmi.net