Kushtetuesja po shqyrton kërkesën e LDK-së për zgjedhje të parakohshme në Kamenicë

Dega në Kamenicë e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka parashtruar ankesë në Gjykatën Kushtetuese për parregullsitë që ata pretendojnë se janë evidentuar gjatë kandidimit të kryetarit të tanishëm të kësaj komune, Qëndron Kastrati.

Lajme

02/05/2018 18:07

Më herët gjatë ditës, ish-kryetari i Kamenicës, Shaip Surdulli, kishte konfirmuar për lajmi.net se një ankesë e tillë është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, dhe e njëjta kishte të bëjë me pretendimet e tyre se kryetari aktual i komunë, Qëndron Kastrati, nuk kishte qenë banorë i Kamenicës për tre vjet, aq sa është edhe minimumi për plotësimin e kriterit.

Nga ana tjetër, nga Gjykata Kushtetuese për lajmi.net është bërë e ditur që kjo kërkesë e LDK-së është aktualisht në fazën e shqyrtimit dhe Gjykata ende nuk ka marrë asnjë vendim.

“Kjo kërkesë është aktualisht në fazën e shqyrtimit dhe Gjykata ende nuk ka marrë vendim. Sapo të merret vendimi, për këtë do të njoftohen të gjitha palët e përfshira në rast dhe i njëjti do të publikohet edhe në ueb-faqen e Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese për lajmi.net.

Ndryshe, Qëndron Kastrati në zgjedhjet e fundit komunale u zgjodh kryetar i Kamenicës. Gjatë kësaj periudhe ai ishte pjesë e Vetëvendosjes ndërkaq që më pas u tërhoq nga kjo parti./Lajmi.net/