Kushtetuesja pa tre gjyqtarë

Gjykata Kushtetuese shumë shpejt do të mbetet pa tre gjyqtarë ndërkombëtare, pasi atyre më 31 gusht u skadon mandati.

Lajme

06/08/2014 09:31

Nëse deri më këtë datë, Kushtetuesja nuk vendos për çështjen e Kryeparlamentarit, atëherë rrezikohet që kriza politike dhe institucionale të thellohet, meqë pamundësohet marrja e vendimeve në Kushtetuese si pasojë e mungesës së kuorumit, shkruan sot “Zëri”.

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Riza Smaka mendon se asesi nuk duhet që këtyre gjyqtarëve t’u vazhdohet mandati.  Sipas tij, nëse bëhet një gjë e tillë, atëherë vendimet e dala nga Kushtetuesja, do të kishin mungesë legjitimiteti.

“Vazhdimi i mandatit nuk ekziston asnjëherë dhe askund e nga askush. Gjyqtarët ndërkombëtarë me Kushtetutë e kanë të përcaktuar që nuk mund të rizgjidhen, këtu është diskrepanca në mes të Kushtetutës dhe praktikës”.

“Mund të vijë deri tek mungesa e legjitimitetit të gjyqtarëve, sepse është dashur t’u skadojë mandati. Është keq që nuk jemi pjesë e BE-së sepse ashtu shumë vendime të Gjykatës Kushtetuese do të kontestoheshin, por kështu çfarëdo që vendos Kushtetuesja, ai është vendimi final.

Analisti Mazllum Bajraliu thotë se pa tre gjyqtarët, Kushtetuesja mund të thelloë krizën institucionale dhe politike në vend. Ai ka droje që deri në fund të gushtit, vendimi për çështjen e Kryeparlamentarit, do të vonojë proceset, të cilat Kosova duhet t’i kryejë.

“Ka rrezik që të mos ketë vendim për shkak të kuorumit të Gjykatës, prandaj duhet të veprojmë shumë shpejt. Pa atë vendim nuk mund të ketë konstituim të Kuvendit në kuptimin e plotë dhe funksionalizimin e tij e po ashtu nuk mund të ketë mandatim për krijimin e Qeverisë”, ka thënë Bajraliu, shkruan sot e përditshmja “Zëri”.