Kushtetuesja nuk e bën interpretimin e rasteve të gjykuara më parë prej saj

Kërkesa e grupit parlamentar nga radhët e minoriteteve, drejtuar presidentes Atifete Jahjaga që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime rreth nenin 127 të aktgjykimit të shpallur rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, mund të mos merret parasysh nga Gjykata Kushtetuese.

Lajme

21/10/2014 13:37

Fisnik Korenica nga Grupi për studime juridike dhe politike tha për Radio Kosovën kërkesa si e tillë nuk mund të merret parasysh nga Gjykata Kushtetuese.

“Në parim Gjykata Kushtetuese nuk e bën interpretim e përcaktimeve që njëherë i ka dhënë me një vendim të mëparshëm pa pasur një rast të ri kundërthënës kushtetues që eventualisht do të mund ta bënte një përcaktim të tillë në kontestim. Kështu që pika 127 e aktgjykimit të vendimit të gjykatës kushtetuese për krijimi ne institucioneve të reja si i tillë nuk mund të shkojë në Gjykatën kushtetuese dhe Gjykata të pyetet në formë të një pyetje të përgjithshme se si duhet interpretuar ai për aq kohë sa nuk ka një rast të ri kundërthënës që në fakt do të duhej zgjidhur në kuptim të pikës eventuale 127”.

Në këtë rast sipas Korenicës është e drejtë e presidentes që të vlerësoj nëse duhet ose jo të procedojë kërkesën e tillë në Gjykatën Kushtetuese, për vlerësim dhe përgjigje.

“Po çfarë mund të bëjë presidentja e Kosovës është që Gjykatës t’ia dërgojë një rast hipotetik, pra një rast që nuk ka ndodhur dhe t’i shtojë një pyetje në kuadër të rolit që ajo ka. Edhe nëse presidentja e bënë një pyetje të tillë hipotetike natyrisht që pyetja nuk bëhet në lidhje direkte me pikën 127, por mund të bëhet më rolin që ka për ta bërë funksional Kuvendin, dhe që një gjë e tillë mund të lidhet edhe me procedurën e propozimit të Kryetarit të Kuvendit”.

Ndryshe në nenin 127, Kushtetuesja kërkon që deputetët të gjejnë zgjidhje kushtetuese për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit.