Kushtetuesja ia rrëzoi ankesën, flet Shaip Surdulli

Gjykata Kushtetuse hodhi sot poshtë ankesën e degës së LDK-së në Kamenicë ndaj mënyrës së zgjedhjes së kryetarit aktual të kësaj komune, Qëndron Kastrati.

Lajme

06/06/2018 16:16

Sipas këtij vendimi, parashtruesi i ankesës, ish kryetari i Kamenicës, Shaip Surdulli,  fare nuk ka saktësuar se cilat të drejta dhe liri themelore të tij të mbrojtura me Kushtetutë janë shkelur, dhe në këtë mënyrë kjo ankesë është e pabazuar në baza kushtetuese, shkruan lajmi.net.

E i zhgënjyer me këtë vendim shprehet ish-kryetari i Kamenicës nga rradhët e LDK-së, Shaip Surdulli, i cili për lajmi.net thotë se ka pritur që Kushtetuesja të marrë vendim karshi ligjit.

“Na kemi pritë me plot qenien që do të mirret vendim karshi ligjit për shkak se është bërë shkelje e ligjit atëherë, dhe kemi prit se do të shpallen zgjedhjet domethënë dhe do të aprovohet ankesa jonë, mirëpo për fat të keq nuk ndodhi kjo”, u shpreh Surdulli.

Megjithatë, Surdulli thotë se do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Jemi zhgënjy nga ky vendim, mirëpo është i plotfuqishëm dhe nuk ka mundësi ankese, sidoqoftë ne e respektojmë vendimin”, u shpreh Surdulli.

Ndryshe, lajmi.net kishte raportuar në vazhdimësi për ankesën që LDK-ja kishte bërë në Kamenicë ndaj kryetarit aktual, Qëndron Kastratit, për të cilin pretendonin se nuk ka përmbushur kushtet për t’u zgjedhur si i pari i kësaj komune. Konkretisht LDK-ja pretendonte se Qëndron Kastrati nuk kishte qenë banorë i regjistruar i Kamenicës për tre vjet, aq sa është minimalja për një kandidat./Lajmi.net/