Kushtetuesja hedh poshtë kërkesën e katër bankave të Serbisë për Trepçën

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka hedhur poshtë kërkesën e katër bankave të Serbisë dhe 410 punëtorëve rreth përputhshmërisë së Ligjit të Trepçës, duke i konsideruar ata si palë të paautorizuar për të ngritur çështje kushtetuese të përgjithshme.

Lajme

12/09/2017 16:59

Në Gjykatën Kushtetuese janë parashtruar tri kërkesa të cilat atakojnë Ligjin për Trepçën.

Kërkesën e parë e ka parashtruar ‘Kosovska banka Sh. A.’ me seli në Beograd. Ajo ka kërkuar nga Gjykata ta shpallë Ligjin për Trepçën në papajtueshmëri me Kushtetutën dhe ta refuzojë atë.

Kurse parashtruesit e kërkesës së dytë janë tri banka tjera në Serbi – Jugobanka SH.A., Beobanka SH.A., Beogradska banka SH.A.

Këto tri banka kanë pasur kërkesën e njëjtë sikurse parashtruesja e parë e kërkesës.

Ndërkaq, kërkesa e tretë është parashtruar nga Momçilo Nedeljkoviç në emër të 410 punëtorë të tjerë të minierave Kishnicë dhe Novobërda, raporton Insajderi.

Ata kërkojnë nga Gjykata vlerësimin kushtetues të përputhshmërisë së neneve 1, 2, 3, 4, 5, 6, 14, 15, 16 dhe 17 të Ligjit të Trepçës, duke konsideruar se pretendohet që me këto nene është bërë transformimi pronësor në favor të ndërmarrjes së sapoformuar Trepça SH. A.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese i ka refuzuar kërkesat e tyre, duke thënë se nuk janë palë e autorizuar për të ngritur çështje të përgjithshme kushtetuese.

“Prandaj, Gjykata konsideron se parashtruesit e kërkesës nuk janë palë e autorizuar për të ngritur çështje kushtetuese ‘in abstracto’ përkitazi me vlerësimin kushtetues të Ligjit, që të sigurojnë dëmshpërblim në emër të interesit kolektiv. Prandaj, parashtruesit e kërkesës nuk janë palë të autorizuara që të kërkojnë vlerësimin kushtetues të përputhshmërisë së Ligjit të kontestuar për Trepçën”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata thotë se objektivi i çështjes është vlerësimi i përputhshmërisë kushtetuese të Ligjit të kontestuar për Trepçën, i cili pretendohet të jetë në kundërshtim me të drejtat e parashtruesit të kërkesës të garantuara me Kushtetutë – E drejta e Pronës; si dhe Mbrojtja e Pronës bazuar në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Parashtruesit kërkojnë nga Gjykata që të vendosë masën e përkohshme “dhe të ndërpresë zbatimin e (…) Ligjit për Trepçën, nr. 05/L-120 (…) derisa të merret vendimi i kësaj Gjykate për përputhshmërinë e këtij ligji me Kushtetutën e Kosovës.”