Kushtetuesja bëri pagesa për lehonat më shumë nga se parasheh ligji

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, në tri raste ka bërë kompensim shtesë gjatë pushimit të lehonisë.

Lajme

29/06/2018 09:18

E gjetura e ZKA-së, në një raport prej 22 faqeve, ishte kompensimi i shtesave gjatë pushimit të lehonisë, ku Gjykata Kushtetuese e Kosovës në aplikimin e këtyre shtesave ka bërë mbi- shpenzim në vlerë prej 1 mijë e 245 eurove.

“Në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës gjatë vitit 2017 ishin tri kërkesa për shfrytëzimin e pushimit të lehonisë. Ligji i punës, neni 49, përcakton se gjashtë muajt e parë të pushimit të lehonisë, nëpunësja paguhet nga institucioni me kompensim 70% të pagës bazë. Ne kemi identifikuar se një e punësuar gjatë shfrytëzimit të pushimit të lehonisë ishte paguar më tepër që i takon me ligj për 1,135 euro. Kjo si rezultat që të punësuarës ju kishte përllogaritur shtesa e aplikueshme në GJKK për pozitën Sekretare Ligjore. Rastet e njëjta ishin edhe kompensimi i dy të punësuarave tjera në pushim të lehonisë (nga muaji nëntor 2017) të cilave ju kishte kompensuar edhe shtesa e aplikuar nga gjykata (5% e pagës bazë). Sipas kalkulimit të bërë nga ne, buxheti i GJKK-së nga aplikimi i këtyre shtesave është mbi-shpenzuar për 1,245 euro”, thuhet në raportin e ZKA-së, raporton Kallxo.com.

Sipas ZKA-së, mos ndalesa e shtesave gjatë pushimit të lehonisë dhe pagesat e tilla jo në përputhje me vendimet e GJKK-së dhe ligjet në fuqi, rrezikojnë që me rastin e kompensimit të lehonave të dëmtohet buxheti i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Regjistri jo i saktë i pasurive jo-financiare është një gjetje tjetër e Auditorit në pasqyrat financiare të GJKK-në.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, sipas ZKA-së e përdor sistemin e – pasuria, mirëpo është vërejtur që ky regjistër nuk është i saktë, pasiqë për të gjitha pasuritë e regjistruara në këtë regjistër nuk është aplikuar zhvlerësimi (përveç pasurisë së regjistruar në vitin 2016).

“Kësisoj vlera neto është e barabartë me vlerën origjinale të pasurive. Megjithatë GJKK në PVF-të e vitit 2017 kishte prezantuar pasuritë jo kapitale në vlerë 47,787 eurove në bazë të kalkulimeve të brendshme (në forma tabelare në Excel). Edhe pse nga testimet tona, ne nuk kemi vërejtur gabime të normat e zhvlerësimit tek regjistri i brendshëm, mirëpo kalkulimet bëhen në mënyrë manuale. Kësisoj, ne nuk mund të marrim siguri për aplikimin e normave të drejta të zhvlerësimit për të gjitha pasurit nën 1,000€. Po ashtu, ne kemi vërejtur që në tri raste në regjistrin e SIMFK janë të regjistruara si pasuri kapitale vlera totale e faturave, ndërsa individualisht ishin asete me pak se 1,000 euro, dhe të njëjtat figurojnë edhe në regjistrin e e- pasurisë. Si rrjedhojë e kësaj, në një rast pagesa e realizuar në vitin 2012 për furnizim me telefona në vlerë totale 9,950 euro, ishte regjistruar në regjistrin e SIMFK-së si pasuri kapitale (15 telefona mobil me vlerë 665 euro për njësi), dhe si e tillë nga sistemi është ndryshuar norma e zhvlerësimit nga 3 në 85 vite. Kjo ka rezultuar me mbivlerësim të pasurisë për 2,798 euro”, thuhet në ZKA.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit mos funksionimi i plotë i sistemit e-pasuria në përputhje me kërkesat e rregullores dhe aplikimi në mënyrë manuale i normave të zhvlerësimit, rrit rrezikun e gabimeve në kalkulim që mund të rezulton me nënvlersimin e pasurisë jokapitale në PFV. Po ashtu regjistrimet e dyfishta, nuk na ofrojnë siguri se regjistri i pasurisë është i plotë dhe i saktë.