Kushtet ekzistojnë

Kryediplomati gjerman në Beograd, Heinz Wilhelm thotë se në fund të procesit të bisedimeve duhet të arrihet një marrëveshje detyruese në atë se si Beogradi dhe Prishtina do t’i vendosin marrëdhëniet ndërmjet tyre.

Lajme

12/10/2013 08:01

Ambasadori i Gjermanisë në Serbi, Heinz Wilhelm konfirmoi se ekziston një dokument joformal gjermano- britanik i cili parashikon që Beogradi dhe Prishtina duhet t’i vendosin marrëdhëniet nërmjet vete, por vetëm në fund të bisedimeve të Serbisë me Bashkimin Europian.

“Ky dokument i referohet procesit të bisedimeve vetëm kur ato të fillojnë. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të vazhdojë gjatë bisedimeve, dhe në fund të procesit të bisedimeve duhet të arrihet një marrëveshje detyruese në atë se si Beogradi dhe Prishtina do t’i vendosin marrëdhëniet ndërmjet tyre”, ka thënë Ambasadori Wilhelm, raporton Beta.

Lajmi.net ka raportuar ekskluzivisht dy javë më parë për dokumentin prej dhjetë kushtesh të cilin Gjermania dhe Britania e Madhe shprehnin kushtet të cilat Serbia duhet t’i plotësojë ndaj Kosovës nëse dëshiron të ecë në rrugën e vet drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Ambasadori gjerman është shprehur se procesi i bisedimeve do të fillojë me kapitujt 23 dhe 24 që ka të bëjë me gjyqësinë, të drejtat e njeriut dhe sigurinë, ndërsa cështja e Kosovës, sipas tij, parashihet në kapitullin 35 të kornizës së bisedimeve.

Ai ka thënë gjithashtu se është optimist dhe beson që Serbia do t’i fillojë bisedimet për anëtarësim në BE në janar të vitit të ardhshëm.